Dushku dhe Smajli karikojnë Kukësin: Do festoni titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2017 | 12:09

Dushku dhe Smajli karikojnë Kukësin: Do festoni titullin

Në sezonin 2014- 2015 bënë gjithçka mirë deri në muajin prill dhe, kur duhej të hidhnin hapin e madh për fitimin e titullit, gabuan pikërisht në ndeshjen ndaj Skënderbeut në “Zeqir Ymeri”. Erjon Dushku dhe Dritan Smajli kanë qenë titullarë të padiskutueshëm të skuadrës që drejtohej nga Artim Shaqiri dhe e kanë ende peng atë humbje 0-1 kundër korçarëve.

dushku dhe smajli

Megjithatë, tashmë që Kukësi është vetëm një fitore larg titullit, ish-mbrojtësit gjejnë momentin të karikojnë skuadrën verilindore, por duke i dhënë edhe sugjerime, për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës. Për “Panorama Sport”, dy lezhjanët theksojnë se Kukësi e meriton plotësisht titullin dhe 34 ndeshje pa humbje nuk janë rastësi.

ERJON DUSHKU: “Kukësi e meriton titullin, ja si thyhet Skënderbeu”

dushku

Nga humbja 0-1 në 2015-ën te ndeshja e së shtunës, ku Kukësi nëse fiton, shpallet kampion. Ish-kapiteni Erjon Dushku flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga Amerika, aty ku jeton prej dy vitesh.

Erjon, nga Kukësi i dy sezoneve më parë, që ishte pranë titullit, te ky i sotmi. E kishit menduar një ecuri të tillë me 34 ndeshje pa humbje?

Faktikisht më duket e habitshme që Kukësi ka 34 ndeshje pa humbje dhe kjo është absolutisht meritë e futbollistëve dhe e stafit teknik. Por, asgjë nuk do mbahet mend, nëse këto dy ndeshje të fundit s’do t’i mbyllnin me sukses. Pra, duhet t’i shkojnë deri në fund, për të qenë kampionë.

dushku kukesi

Edhe në kampionatin kur ju keni qenë pjesë e Kukësit, rezultoi decizive për titullin një ndeshje kundër Skënderbeut, ku humbët 0-1 në “Zeqir Ymeri”. Tashmë si e parashikoni?

Më vjen mirë që Kukësit i erdhi prapë situata në dorë, por në krahasim me 2015-ën dhe sot, diferenca është që ne luanim vetëm për fitore, ndërsa tani Kukësin mund ta kënaqë dhe një barazim. E them këtë për faktin se, ndryshe është kur luan vetëm për fitore dhe ndryshe për dy rezultate, pasi dihet që, në rast se luan vetëm për fitore, trysnia është më e madhe. Nuk flas për parashikim se asnjëherë nuk e gjej, por shpresoj të fitojë Kukësi.

Çfarë duhet të bëjë Kukësi në ndryshim nga dy vite më parë për të mundur Skënderbeun?

Në këtë ndeshje Kukësi duhet të ruajë qetësinë, pasi loja fitohet edhe në minutën e parë, edhe në minutën e fundit. Mendoj që ky takim do të jetë si një lojë shahu dhe kush do bëjë një lëvizje gabim, do të ndëshkohet. Korçarët janë menaxhues të mirë të këtyre ndeshjeve, kështu që Kukësi nuk duhet të bjerë pre e qetësisë së tyre. U sugjeroj të sillen me të njëjtën qetësi.

kukesi dushku

Ju mendoni se, dy vite më parë, gabuat prej mungesës së qetësisë?

Gabimet e ndeshjes së vitit 2015 ishin vetëm nga adrenalina e tepërt për fitore, e cila na doli jashtë kontrolli, ndaj këtë herë e ritheksoj se Kukësi duhet ta marrë thjesht si një ndeshje radhe.

Kujt i druheni më tepër te Skënderbeu?

Korçarët nuk është se këtë vit kanë qenë në lartësinë e duhur, por ja që janë sërish aty. Skënderbeu është ekip që di të fitojë atëherë kur i duhet. Mendoj se Salihi dhe Latifi janë lojtarë që nuk duhet t’jua humbësh vëmendjen për asnjë sekondë, pasi të ndëshkojnë.

Çfarë ka më shumë Kukësi nga Skënderbeu?

Mendoj që Kukësi këtë vit ka një besim të jashtëzakonshëm, kjo falë ecurisë nga java në javë, por gjithsesi mendoj që të dyja skuadrat janë të të njëjtit nivel. Unë mendoj se Kukësi e meriton plotësisht të jetë kampion këtë sezon. Tashmë janë vetëm një fitore larg.

A keni ndonjë peng personalisht kur u larguat nga Kukësi?

Hipoteza e vetme ka qenë largimi im para përfundimit të kampionatit dhe këtë e kam bërë për të mbrojtur shokët e mi. Futbolli, prandaj është i bukur, sepse ka fitore dhe humbje. Kush ka pasur paragjykime, besoj se tani e di të vërtetën, pasi Shqipëria është e vogël.

 

DRITAN SMAJLI: “Fiton ish-skuadra ime, por Daja është i frikshëm”

smajli

Dritan Smajli e ka ende peng ndeshjen e vitit 2015, kur u ndëshkua me kartonë të kuq dhe Skënderbeu fitoi. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i Kukësit kujton atë takim dhe flet me bindje për një fitore të skuadrës së Ernest Gjokës në sfidën e së shtunës.

Dritan, Kukësi po shkon drejt titullit me një rekord. Çfarë ju bën përshtypje nga ky sezon?

Normalisht jo vetëm unë, por askush nuk e kishte menduar që Kukësi, pas 34 javësh, nuk do të kishte humbje. Kjo do të thotë që kanë një superskuadër dhe meritojnë një bravo të madhe, duke filluar nga lojtarët te trajneri, stafi, presidenti dhe tifozët e jashtëzakonshëm.

smajli

Ju keni qenë pjesë e ekipit në sezonin 2014-2015, kur humbët 0-1 ndaj Skënderbeut, në një takim që, nëse e fitonit, do të hidhnit një hap të sigurt drejt titullit. Çfarë duhet të korrigjojë tashmë Kukësi?

Asgjë më tepër, sesa të ruajnë qetësinë dhe ndeshjen të mos e përgatisë me tension. Kjo është ajo që na ndodhi në 2015-ën. Në atë kohë na duhej vetëm fitorja, kurse këtë herë Kukësit i mjafton edhe barazimi. Do ta shoh me kënaqësi të madhe këtë ndeshje, sikur të jem vetë aty.

Ju mendoni se qetësia e përgatitjes së ndeshjes do të bëjë diferencën?

Qetësi dhe jo tension, kështu të jeni të sigurt se Kukësi ia del. Ky ishte gabimi i vetëm që ne bëmë atëherë dhe nuk duhet bërë sot.

Kukesi-feston-golin2

Kundërshtari ka gjashtë tituj radhazi, kush mendoni se janë lojtarë që Kukësit do t’i hapin punë?

Skënderbeu ka skuadër shumë të mirë dhe me kualitete. Duhet kujdes nga Salihi, Latifi, Osmani dhe Vangjeli. Janë ekspertë për ndeshje të tilla.

Cili mendoni se është avantazhi i verilindorëve?

Kukësi ka grintën dhe tifozët me vete. Skënderbeu është më akademik dhe ka një trajner që di të përballet me tilla situata. Daja është mjeshtër, pasi e kam provuar vetë kur isha te Tirana dhe ne fituam në Kukës. Është trajner që të studion me detaje dhe normalisht është i frikshëm në të tilla ndeshje.

Kukesi-Skenderbeu

Keni ndonjë parashikim për rezultatin?

Shpresoj dhe dua të fitojë Kukësi. Kam luajtur dy sezone me atë klub dhe ndihem krenar që kam dhënë kontributin tim për atë qytet. Kukësi ka bërë një kampionat të jashtëzakonshëm dhe me shpirt uroj që ta marrë këtë titull. Forca Kukësi! Jam një tifoz më shumë për ju.

Edhe pse ka kaluar shumë kohë nga ajo humbje dy vite më parë, ju vazhdoni të paragjykoheni. Si është e vërteta e atij takimi?

Akoma e përjetoj atë karton të kuq, sepse janë paragjykimet që në Shqipëri s’ta lënë shpirtin e qetë. Kam folur me shumë tifozë të Kukësit, me presidentin gjithashtu dhe madje u jam betuar për djalin që Smajli s’ka bërë asgjë me dashje.

kukesi

Kush është ai që nuk do të dalë kampion? Ne e përgatitëm jo siç duhet ndeshjen, me tension të jashtëzakonshëm, pasi na duhej vetëm fitorja.

Kjo bëri që shumë nga ne të dalin jashtë kontrollit, por ai që e pësoi më keq isha unë dhe për këtë kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj ndjesë. Kuksianët janë dhe do të mbeten miqtë e mi. Në Shqipëri je gjithmonë i paragjykuar edhe kur fiton, jo më kur humb

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"