“Duroni pak, këta djem do rriten”, administratori Idrizi nuk e bën dramë humbjen ndaj Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 9:09

“Duroni pak, këta djem do rriten”, administratori Idrizi nuk e bën dramë humbjen ndaj Besën

Sinan Idrizi nuk e bën dramë humbjen e Flamurtarit. Administratori mundohet që t’u japë zemër të rinjve që janë pjesë e kuqezinjve, ndonëse u mundën me shifrat 0-3 nga Besa në mes të Vlorës. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpreh besim te skuadra, madje u bën thirrje sportdashësve dhe gjithsekujt që të bëjnë pak durim.

Sinan-Idrizi

“Është një grup djemsh të rinjsh vlonjatë që duhet të rriten. Janë shumë të mirë, vetëm duan pak durim. Të mos i shesim menjëherë… Janë grup shumë i mirë dhe kini besim për këtë. Janë të gjithë elementë të ardhur nga akademia jonë, me ato kushte që kemi. Për mua duhet të kemi besim dhe t’u japim pak kurajë, asgjë më tepër.

Rezultati në ndeshjen me Besën ishte ai që ishte. Ata ekipin e kanë më të konsoliduar dhe kaq. Baza e ekipit do të jetë kjo e vlonjatëve. Do të jetë një bazë e mirë që unë them se kam besim te këta djem. Me pak besim dhe asgjë më tepër”, tha fillimisht Idrizi.

RINGRITJA

Numri një i klubit thotë se këta lojtarë të akademisë nuk do të rriten në kurriz të fanellës, por bashkë edhe me infrastrukturën, për të ringritur aty ku duhet Flamurtarin.

“Objektivi ynë është që duhet të rritemi bashkë. Ne do të rritemi me infrastrukturë dhe me ekipin bashkë. I kemi grumbulluar dhe me pak ndërhyrje është ekip që ia vlen. Mosha mesatare është 18.8 vjeç. Vini re sa djem të rinj janë. Për mua dhe për ekspertët e futbollit, janë elementë që do japin shpresë. Nuk do të rriten në kurriz të fanellës, të jeni të sigurt për këtë. Vetëm bëni durim”, shprehet administratori.

MERKATO

Tarik Çmajcanin, Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci mbeten ende në pritje. Ata po stërviten me grupin, por nuk kanë të drejtë që të luajnë. Me merkaton e bllokuar, nuk mund të kryhen as federimet. E megjithatë, Sinan Idirzi qartëson se ka marrë sigurinë nga FIFA dhe sistemi do të hapet këto ditë. Ai shpjegon ndër të tjera edhe shkakun e vonesës.

“Këto ditë kam marrë konfirmim nga FIFA për hapjen e merkatos. Janë pagesa që nuk janë bërë nga Vlora, meqë kontoja e Flamurtarit është e bllokuar. Është e njëjta histori e janarit të vitit të kaluar që bëmë pagesat nga Turqia. Me hapjen e merkatos kemi edhe tre-katër lojtarë të tjerë që do ta na përforcojnë”, përfundon administratori.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"