Duro teston titullarët, Flamurtari lë Maqedoninë me “poker”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2017 | 12:07

Duro teston titullarët, Flamurtari lë Maqedoninë me “poker”

Flamurtari rikthehet te fitorja në miqësore. Pas humbjes 1-0 me ekipin e Gostivarit, vlonjatët e Shpëtim Duros kanë mundur dje me rezultat të thellë Zajazin e Kërçovës duke i shënuar 4 gola në ndeshjen e fundit miqësore në tokën maqedonase.

gostivari flamurtari

Trajneri Shpëtim Duro duket se ka zgjedhur tashmë edhe formacionin titullar. Ai nuk kishte shumë ndryshime nga dy ndeshjet e kaluara.

Në ndryshim nga ndeshja e fundit me Gostivarin, Duro uli në stol Sidiben dhe aktivizoi Useinin që nga minuta e parë dhe duket se nuk ka gabuar, pasi ai shënoi edhe dy gola në këtë ndeshje.

NDESHJA – Flamurtari do ta siguronte fitoren që në pjesën e parë, ku edhe do të shënonin jo pak, por katër gola. Kuqezinjtë e Shpëtim Duros e nisën lojën në sulm. Duket se ofensiva ka qenë dje në formën e saj më të mirë e në veçanti sulmuesi Bushiç. 14 minuta nga fillimi i pjesës e parë, Bushiç do të kalonte në avantazh Flamurtarin.

Flamurtari

Po ashtu sulmuesi do të shënonte edhe pak minuta më pas. Në minutën e 21- të do të vinte edhe goli i dytë për vlonjatët dhe autor do të ishte sërish kroati. Por Flamurtari nuk do të kishte të ndalur. Usein do të shënonte më tej golin e tretë të takimit, në minutën e 33-të, duke mos u dhënë asnjë shpresë vendasve për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.

Por fraksioni i parë i kësaj ndeshjeje nuk do të përfundonte me kaq. Useini do të shënonte edhe golin e dytë personal dhe të katërtin në total për Flamurtarin në minutën 42. Në pjesën e dytë, trajneri Duro do të bënte shumë zëvendësime. Sali, Neziraj, Hoxhaj, Liçaj, Alvesh, Sidibe do të ishin disa nga lojtarët që do të aktivizoheshin në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje miqësore.

Flamurtari miqesore

Zajazi do të ishte totalisht i dorëzuar, ndërsa rastet për ta thelluar edhe më shumë rezultatin nga Flamurtari nuk do të mungonin. Zajazi do të shënonte golin e nderit falë një penalltie të fituar në minutat e fundit të takimit.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, vlonjatët luajtën ndeshje miqësore. Takimin e parë me Makedonijan e fitoi me rezultatin 3-2, ndeshjen e dytë miqësore e humbi 1-0 me Gostivarin, ndërsa ndeshjen e djeshme, të fundit gjatë qëndrimit në Mavrovë, e fitoi 4-1 me Zajaz.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"