Duro: Stërvis lojtarët që më jep klubi, ndaj Tiranës për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2018 | 15:16

Duro: Stërvis lojtarët që më jep klubi, ndaj Tiranës për fitore

Kamza ka zhvilluar një lojë të mirë në këto javë, por ajo që i ka munguar është rezultati. Ndeshja e rradhës do t’i vendos përballë Tiranës dhe Klodian Duro është i bindur se do t’ dominojnë në lojë dhe rezultat.  Ai gjithashtu ka folur edhe për pezullimet.

duro

Pezullimet

Nuk po kalojmë një periudhë siç do të donim por edhe ne kemi rregullat tona dhe klubi ka vendosur t’i pezullojë. Unë stërvis futbollistët që klubi më ofron. Janë vendimet e tyre, unë kam vendime teknike. Janë të pezulluar pa afat të caktuar. Mendimin tim e di klubi.

Kontigjenti i ekipit

Kemi në dispozicion 26 futbollistë dhe do të nxjerrim një 11-tëshe që do të jetë e aftë të përballojë ndeshjen. Po luajmë mirë pavarësisht se pikët po mungojnë. Po punojmë për tu rikthyer aty ku duam.

Barazimi

E kam thënë edhe më parë se nuk kënaqem me barazim. Do të futemi në fushë për të fituar, kështu do të jetë edhe nesër. Nuk ka pse ndryshoj asnjë nga filizofia ime. Jam i qetë gjithmonë sepse klubi më ka mbështetur deri tani. Ndihem i zhgënjyer nga rezultatet. E thashë edhe pas ndeshjes me Skënderbeun, nuk jemi nga ta që dorëzohemi lertë. Synimi është ta fitojmë takimin e nesërm.

Situata te Tirana
Më intereson ekipi im, kemi punuar për fitore.

Rezultatet e munguara

Unë i dal gjërave përballë. Futbolli i tillë është. Jam mëse i bindur se kjo lojë e mirë do të jap shumë shpejt frytet. Pas ndeshjes me Skënderbeun të gjithë ata që kanë parë ndeshjen kanë pyetur veten se si ka mundësi që dolëm pa pikë. Një mik i imi, ish-koleg te Tirana më tha se me këtë lojë të zhvilluar nëse do t’i kishim fanelat bardheblu do të kishim fituar 4-1. Futbolli është i tillë dhe duhet ta pranojmë këtë moment ku jemi. Futbollistët dhe unë duhet të tregojmë se sa vlejmë dhe sa mund të japim.

Rezyme

Me mediat kam qenë gjithnjë i hapur dhe do të jem gjithnjë i hapur në çdo moment. Unë kam thënë që do jem këtu edhe javës tjetër dhe do diskutojmë për ndeshjen e radhës. Për të qenë më konkret këto gjëra që do u them unë duhej t’i thoshte media. Unë e kam marrë ekipin në javën e katërt të kampionatit. Kam qenë mëse i bindur se me futbollistët që ka Kamza shumë shpejt do të krijojmë këtë lojë që ne po luajmë, por do marrim dhe rezultate.

Realisht na ka munguar vetëm pjesa e vazhdimësisë në rezultate, pasi ne e kemi nisur që në ndeshjen e parë në Kupë dhe kemi kaluar turin me Besën e Kavajës. Kemi fituar në ndeshjen e parë timen në kampionat me Kastriotin shumë pastër si në lojë dhe në rezultat 2-0. Kemi humbur një ndeshje të vërtetë dhe të luajtur në mënyrën e duhur ndaj Kukësit, një prej skuadrave më të mira në Shqipëri. Jemi përballur denjësisht në këtë takim.

Hapin fals e kemi shënuar në shtëpi në ndeshjen me Laçin. Që nga kjo sfidë unë nuk kam pasur në dispozicion një qendërmbrojtës siç është Beqiri, i cili ka qenë kapiten i Luftëtarit, që shkoi në Europë. Po ashtu dhe kapiteni Plaku në këtë ndeshje ka qenë i dëmtuar dhe i pamundur për t’u aktivizuar. Edhe Roloviç ka qenë me një virozë dhe e kishte të pamundur që të kontribuonte në 100% në këtë ndeshje, pavarësisht se unë e aktivizova në 15 minuta e fundit.

Në Gjirokastër shkuam me një ekip jo të plotë, megjithatë këto janë ndodhin në një ekip profesionist dhe unë nuk jam qarë dhe nuk qahem as sot, por vë në dukje disa fakte që media duhet t’i kishte më të qarta, ose t’i ketë më të qarta. Nesër fillojnë ndeshjet ku nuk ka më justifikim si për mua dhe për ekipin. Koha e njohjes ka mbaruar dhe ne duhet të flasim me gjuhën e futbollit dhe me gjuhën e fitores”.

Statusi si “ish” –  Pjesën më të madhe të karrierës e kam kaluar te Tirana, rreth 6 sezone. Tirana është një nga ato klube, që më ka dhënë shumë, ashtu siç dhe unë i kam dhënë shumë asaj. Ruaj të njëjtin respekt dhe të njëjtin mendim siç kam qenë futbollist edhe sot si trajner. Jetojmë në Shqipëri dhe shumë gjëra mbase nuk janë në vendin e duhur, por ne përpiqemi që t’i çojmë në vendin e duhur. Jam nga ata ish-futbollistë të Tiranës që kam luajtur më shumë ndeshje me kombëtaren.
Nesër e pres Tiranën si kundërshtar dhe do të jem shumë i kënaqur që Kamza të rikthehet te fitorja. Jam i bindur se do të shohim një ndeshje ku Kamza do të dominojë si me lojë ashtu dhe me rezultat.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"