Duro sqaron lënien në tribunë të Alveshit: Sulmuesi ishte i dëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2017 | 19:18

Duro sqaron lënien në tribunë të Alveshit: Sulmuesi ishte i dëmtuar

Shpëtim Duro e cilëson si një seancë stërvitore ndeshjen e djeshme miqësore me Bylisin. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Duro u shpreh i kënaqur me reagimin e ekipit në këtë ndeshje. Sipas trajnerit Duro, nga të gjithë lojtarët mori reagim pozitiv.

Duro

“Kjo ishte si mbyllje e stërvitjes javore. E mbyllëm këtë javë me këtë ndeshje miqësore. Kishim stërvitje me ngarkesë gjate gjithë javës me dy seanca gjatë gjithë javës. Ishte një reagim i mirë nga Flamurtari. Në fushë patëm dy skuadra, një në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë. U provuan të gjithë lojtarët. Kjo ndeshje ishte gjithmonë në përgatitjen stërvitore të skuadrës. Ndeshja shkoi mirë”, tha fillimisht Duro.

Trajneri Shpëtim Duro u pyet nga gazeta edhe për mosaktivizimin e Alveshit në ndeshjen e djeshme. Duro tha se sulmuesi brazilian ishte i dëmtuar dhe ndaj tij nuk ka asnjë masë pezullimi.

“Alveshi është i dëmtuar në kofshë. Edhe dje (pardje) nuk ka bërë stërvitje. Po ashtu edhe Musta është i dëmtuar”, u shpreh Duro. I pyetur për ndeshjen me Vllazninë, e cila është e radhës në kampionat dhe luhet në transfertë, trajneri Duro u shpreh: “Për ndeshjen me Vllazninë është shpejt për të folur. Ta bëjmë pushim nesër(sot) dhe të hënën fillojmë përgatitjet”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"