Duro “shkund” ekipin para Teutës: Askush nuk e ka vendin e sigurtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 9:37

Duro “shkund” ekipin para Teutës: Askush nuk e ka vendin e sigurtë

Shpëtim Duro nuk do “blof” në Durrës. Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar dje me ekipin, trajneri ka kërkuar nga lojtarët angazhim maksimal në ndeshjen e tretë të kampionatit, e cila do të luhet në transfertën me Teutën. Tekniku tiranas ia bëri të gjatë grupit që kundërshtari duhet respektuar për startin që i ka bërë këtij sezoni, ndaj në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësim. Seriozitet dhe profesionalizëm ka kërkuar trajneri edhe në këtë 90- minutësh, për të vijuar aty ku u la në ndeshjen me Lushnjën.

Duro

“Ndeshja me Teutën është shumë e rëndësishme. Duke qenë se morëm tri pikët në ndeshjen e kaluar me Lushnjën, nuk duhet që ta nënvlerësojmë. Kërkoj nga ju që të angazhoheni maksimalisht për këtë takim. Çdo javë për ne është e rëndësishme, ndaj duhet që ta konsiderojmë si finale, për të përmbushur objektivat që kemi.

Në këto kushte, kërkoj nga ju seriozitet dhe profesionalizëm në këtë duel. Teuta ka bërë mirë në këto dy takime, ndaj ne duhet të shkojmë shumë të motivuar në aspektin e moralit, por edhe të asaj që duhet të japim në fushën e lojës”, u ka thënë të tijve trajneri.

Sulmi

Me sa duket, Duro kërkon një ekip sa më sulmues në ndeshjen me Teutën, për të kaluar sa më shpejt te goli. Gjatë “samitit”, ai ka theksuar që skuadra të jetë efikase në konkretizim. “Unë kërkoj shumë nga ju. Të gjithë duhet të bëni mirë për në atë repart që mbuloni. Por dua që të them se më shumë pres në veçanti nga sulmi.

Duro

Alvesh dhe Bushiç duhet të vijojnë të prodhojnë gola. Na duhet edhe loja e bukur, por edhe golat janë shumë të rëndësishme për pikët. Ndaj sulmuesit duhet të kenë peshën kryesore në Durrës, por edhe në javët në vazhdim. Duhet të shënojmë sa më shumë, pasi në fund të fundit kështu bëni edhe detyrën”, ka shtuar numri një i kuqezinjve.

duro flamurtari

Konkurrenca

Trajneri u ka kujtuar lojtarëve se konkurrenca në ekip mund t’i ulë edhe në stol. Duro nuk ka bërë dallim mes lojtarëve, ndaj këtë gjë jua ka komunikuar edhe në mbledhje. “Te Flamurtari ka konkurrencë dhe ju e dini mirë këtë. Dua ta përsëris se formacionin do ta kapin ata që e meritojnë. Nuk ka lojtarë formacioni apo lojtarë stoli për mua. Punoni fort për të arritur formacionin”, mësohet t’u ketë thënë Duro futbollistëve.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"