Duro rrëfen për belgët: Hasi na telefonoi për të na ndihmuar, Kompani u tregua një zotëri i vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2021 | 16:37

Duro rrëfen për belgët: Hasi na telefonoi për të na ndihmuar, Kompani u tregua një zotëri i vërtetë

Besnik Hasi ka telefonuar Shpëtim Duron për të ndihmuar ish-pjesëtarin e stafit teknik të kombëtares, që të përgatiste ndeshjen me Anderlehtin. Ish-mesfushori i përfaqësueses, ka qenë nën urdhrat e Duros në vitet e tij të fundit si pjesë e kuqezinjve, kur tekniku aktual i Laçit ishte në krah të Oto Bariç.

sero duro

Raporti miqësor ka vazhduar edhe pasi Hasi u largua nga ekipi kombëtar e ish-trajneri i Anderlehtit, është mundësia që të ndihmojë në çdo lloj mënyre kurbinasit. Këtë, dhe detaje të tjera të përballjes së Ligës së Konferencës, i ka zbuluar vetë Duro në një intervistë të dhënë për “La Libre” në Belgjikë.

“Besnik Hasi na telefonoi për të na dhënë disa këshilla rreth Anderlehtit. Besnik është një emër i madh te ne, ai ka kontribuar shumë për futbollin shqiptar.

Ne fillim të edicionit ne deshëm të kalonim raundin e parë. Më në fund, e shohim veten në raundin e tretë. Objektivi ynë është arritur. Duke u përballur me një emër të madh si Anderlehti, ne deshëm të tregonim më të mirën tonë. Padyshim që jemi të zhgënjyer pasi u ndëshkuam nga dy situata standarde dhe na detyron të largohemi nga turneu. Përveç kësaj, dy elementët tanë më të mirë (Shehu dhe Mazrekaj) mungonin. Pastaj në aspektin financiar, Anderlehti është në një botë tjetër në krahasim me ne. Të gjitha pozicionet në atë skuadër janë të dubluara apo edhe me tre alternativa ndërsa ne mbetemi një klub modest. Për ta provuar po ju tregoj që ne na u desh të merrnim lojtarë nga U19 dhe ekipi i dytë. Në radhët e Anderlehtit na lanë përshtypje Gomez dhe Refaelov.

Kompani? Kur sheh karrierën e tij si futbollist… Ai luajti në klube të mëdha në Europë dhe tani trajnon një skuadër të madhe në Belgjikë. Por ai vrapoi drejt nesh për të na përshëndetur. Normalisht është e kundërta (qesh). Ai është njeri me këmbë në tokë dhe shumë i përulur. Shpesh njerëzit na shohin ndryshe, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Ne mësuam se si kishte përgatitur duelin dhe na kishte marrë shumë seriozisht. Ai ka pasur një karrierë të madhe si futbollist dhe i urojmë po aq suksese si trajner. Një zotëri i vërtetë.

Klubet shqiptare janë modeste. Por futbolli ynë njeh progres. Ekipi kombëtar mori pjesë në Euro 2016 dhe Skënderbeu mori pjesë në fazën në grupe të Ligës së Europës në dy edicione. Infrastruktura është shumë më e mirë se 10 vite më parë falë investimeve të Federatës. Krijimi i Ligës së Konferencës na ndihmon jashtëzakonisht shumë, është jetësor financiarisht për një klub si i yni dhe na ndihmon të vendosim në vitrinë lojtarët tanë”, ishte rrëfimi i Duros.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"