Duro pret afrime te Laçi, mesfusha duhet ribërë para dopiosfidës me malazezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 20:08

Duro pret afrime te Laçi, mesfusha duhet ribërë para dopiosfidës me malazezët

Laçi ka konfirmuar deri më tani vetëm afrimin e mbrojtësit të djathtë nga Serbia, Luka Cucin. Mirëpo, nga kurbinasit janë larguar lojtarë shumë të rëndësishëm, që kanë mbajtur peshë të madhe në skuadër gjatë sezoneve të fundit. Largimi i Alen Sherrit, Aleksandar Ignjatoviçit, Bashkim Velijajt dhe veçanërisht mesfushorëve Ardit Deliu dhe Juljan Shehu, ka hapur një gropë në skuadër.

LACI

Trajneri Shpëtim Duro është i detyruar të bëjë për herë të parë pa treshen e mesfushorëve që kanë shkëlqyer te Laçi në katër sezonet e fundit, pikërisht Lushkjen, Deliun dhe Shehun, të cilët jo më kot vijojnë karrierën jashtë Shqipërisë, respektivisht në Moldavi, Letoni dhe Poloni. Reparti i mesfushës është për t’u ribërë para ndeshjes që kurbinasit do të luajnë më 7 korrik ndaj Iskras për turin e parë të Ligës së Konferencës.

Aktualisht Duro ka në dispozicion lojtarë që gjithashtu kanë luajtur titullarë si Ujka dhe Qato, ndërsa gjasat janë që të marrë më shumë hapësira Spahiu, i cili iu bashkua skuadrës në janar. Burime në klubin kurbinas tregojnë se drejtuesit po hasin vështirësi në merkato, pasi nuk po gjejnë alternativat e duhura që mund të shtojnë cilësinë në skuadër. Nga ana tjetër, ka dilema edhe për të ardhmen e mbrojtësve Roganoviç dhe Malota, të cilët me shumë mundësi do të largohen nga Laçi pas aventurës evropiane. Gjithsesi, ajo që shqetëson tashmë trajnerin është mungesa e përforcimeve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"