Duro: Nuk është momenti të flasim për objektiva, në Shqipëri rrezikohen të gjitha skuadrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 15:45

Duro: Nuk është momenti të flasim për objektiva, në Shqipëri rrezikohen të gjitha skuadrat

Shpëtim Duro mbyll merkaton. Trajneri i Flamurtarit nuk pret më lojtarë që t’i bashkohen ekipit. Skuadra tashmë është e plotësuar në të gjitha repartet dhe nuk pritet as edhe një surprizë në vijim. Një ditë përpara nisjes në Greqi, ku do të zhvillojë pjesën e dytë të fazës përgatitore verore, trajneri Shpëtim Duro, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se pret një ekip që të konkurrojë denjësisht në kampionatin shqiptar dhe objektivat të vijnë gradualisht.

duro flamurtari

Duro dëshiron një skuadër pse jo pretendente, por natyrisht që është me këmbë në tokë, teksa tregon se kampionati shqiptar është i vështirë dhe se ka rrezik për të gjitha skuadrat që konkurrojnë në të. E ndërsa është shumë i kënaqur nga ekipi që ka ndërtuar dhe nga lojtarët e afruar këtë sezon në Vlorë, trajneri Duro shprehet shumë i kujdesshëm për atë që kërkohet nga skuadra më tej.

Por, natyrisht që Duro dëshiron një ekip që të jetë i barabartë me të gjitha skuadrat e tjera, të cilat janë në listën e pretendenteve. “Merkato është e mbyllur tashmë. Ky do të jetë ekipi që do të përfaqësojë Flamurtarin në sezonin e ri dhe në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë surprizë tjetër. Nuk dua që të flasim për objektiva në këtë moment. Unë nuk flas as për titull kampion dhe as për arritjen e Europës.

Qëllimi im ka qenë që të ndërtojmë një ekip që konkurron denjësisht. Të konkurrojmë mirë, kjo gjë është shumë primare për mua, pastaj të shohim si do të shkojnë punët. Dihet që në kampionatin shqiptar rrezikohen të gjitha skuadrat. Të shohim se si do të ecin gjërat në vijim”, u shpreh fillimisht Duro.

PENGU

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, natyrisht që ka pengje nga kjo merkato. E ndërsa nuk dëshiron që të flasë për emra konkretë lojtarësh, ai deklaron se do të kishte dëshirë që të kishte disa emra të njohur të futbollit. Por, Duro thotë se pamundësia për afrimin e tyre te Flamurtari nuk ka qenë te klubi, por te vetë lojtarët dhe kontratat që ata kanë pasur me ekipet e tjera.

“Kjo është skuadra ime. Peng? Ekipi im ka tri javë që është ndërtuar. Ka pasur lojtarë me emër që nuk i marr dot. Jo të gjitha realizohen ne merkato. Disa lojtarë që unë kam dashur, mes tyre edhe te Shkëndija e Tetovës, kanë qenë në kontratë. Disa të tjerë i kam pritur, por edhe ajo ka një kufi, pasi nuk mund të presësh pafundësisht. Gjithsesi, unë e kam ndërtuar ekipin dhe jam i kënaqur për çdo lojtar që kam në këtë skuadër”, tha Duro.

KONKURRENCA

Shpëtim Duro deklaron se te Flamurtari ka konkurrencë. Kreu i pankinës vlonjate shprehet se rivaliteti është shumë pozitiv dhe kjo do të thotë se do të ketë zhvillim të skuadrës. Për Duron, formacionin do ta arrijnë vetëm ata që e meritojnë.

“Në ekip këtë sezon ka shumë konkurrencë. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe pozitive që i jep frymë dhe zhvillim skuadrës. Natyrisht që ata që do të punojnë fort, do të jenë pjesë e formacionit. Kush do të japë maksimumin e tij, natyrisht që do të jetë gjithmonë i vlerësuar”, përfundoi Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"