Duro nën presionin e pikëve, Kamzës i largohet edhe zv.trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 20:15

Duro nën presionin e pikëve, Kamzës i largohet edhe zv.trajneri

Mbledhja e së mërkurës ka mobilizuar Kamzën. Kritikat e ashpra të presidentit kanë vendosur para përgjegjësisë jo vetëm lojtarët, por edhe vetë trajnerin. Naim Qarri kërkon rezultate, e në kësi kushtesh “pesha” bie mbi ekipin. Nën presionin e pikëve është Klodian Duro, prej të cilit pritet vetëm kthesa ndaj Skënderbeut. Ndoshta një fitore ndaj kampionëve në fuqi të vendit do të sillte edhe qetësinë në kampin kamzali.

duro stervitje kamza

Kreu i klubit e bëri të qartë se në rast se nuk vijnë pikët e kërkuara, atëherë nuk do të mungojnë as ndëshkimet. U bënë javë që skuadra nuk po ia del dhe kjo gjendje konsiderohet e papranueshme prej presidentit, i cili theksoi se ka hedhur 180 mijë euro dhe sigurisht që fundi i renditjes nuk i përligjet investimit.

Zv.trajneri – Ergi Lubani largohet nga Kamza. Zv.trajneri i afruar në kohën kur ekipi drejtohej prej Bledar Devollit ka ndërprerë bashkëpunimin me klubin. Që pas përfundimit të ndeshjes me Flamurtarin, ai nuk është dukur më në ekip. Drejtuesit në kësi kushtesh janë hedhur në kërkim të pasuesit të tij, i cili me siguri mund të merret edhe nga skuadrat zinxhir të Kamzës.

Situata – Klodian Duro e ka stërvitur i vetëm ekipin dje. Në mungesë të një ndihmësi, puna ka vijuar me mungesa. Malazezi Ognjen Roloviç dhe bullgari Mario Iljanov Kirev kanë marrë disa ditë më shumë leje për të qëndruar pranë familjeve. Sakaq, Besnik Syziu dhe Orjad Beqiri kanë vijuar sërish së bashku stërvitje të diferencuar, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës, duke nisur nga kapiteni Sebino Plaku e me radhë, i është nënshtruar urdhrave të trajnerit.

Duke qenë se mungonin dy portierët, bullgari Kirev dhe Redi Leçka, ishte lajmëruar një portier nga të rinjtë. Henri Sharra iu bashkua grupit. Stërvitja ka qenë e diferencuar në tre grupe dhe duke vepruar njëkohësisht në disa drejtime, po përgatitet dita-ditës dhe formacioni që do të zbresë në Korçë kundër kampionëve. Sigurisht që të gjithë janë ende në provë dhe gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohet një test brenda grupit për të parë konkretisht gjendjen e gjithsecilit.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"