Duro në debutim, trajneri i Kamzës nuk do “blof”: Pres fitoren, jemi gati të nisim rrugëtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 14:21

Duro në debutim, trajneri i Kamzës nuk do “blof”: Pres fitoren, jemi gati të nisim rrugëtimin

Klodian Duro është gati për debutim. Aventura e tij si trajner i Kamzës do të startojë pikërisht sot përballë Besës së Kavajës. Edhe pse pa pretendime madhore në Kupën e Shqipërisë, objektivi për këtë takim është i padiskutueshëm: fitorja. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-lojtari i Kombëtares ka analizuar ditët e para të stërvitjes me ekipin e ri, por nuk ka ngurruar që të flasë edhe për 90-minutëshin që do të luajnë sot në transfertë.

klodian duro kamza

Duro njihet si një trajner me ide, e tashmë ai pret që lojtarët të përthithin sa më shpejt kërkesat e tij. “Jam shumë i kënaqur me ekipin, këto ditë kemi punuar mjaft mirë. Çdo gjë ka shkuar në perfeksion, pasi futbollistët shprehen shumë mirë në stërvitje. E vetmja gjë që mbetet tashmë është që idetë e mia t’i përthithin shpejt dhe mirë, e më pas t’i implementojmë në fushën e lojës. Ndonëse kam pak kohë që po punoj me Kamzën, mund ta them me bindje se janë mjaft inteligjentë dhe të formuar, kanë arritur të më kuptojnë e të shfaqen mjaft mirë në proceset e trajnimit.

Kam besim se do e nisim mbarë, si ndaj Besës në Kupë, e mandej në kampionat. Jemi gati për të nisur rrugëtimin në fushën e blertë”, u shpreh fillimisht trajneri i Kamzës. Për të dëshmuar vlerësimin që i është bërë këtij kompeticioni, stafi teknik ka grumbulluar 22 futbollistë dhe jo 18, ndaj vetëm sot do të vendosë se kush do të zbresë në fushën e lojës. Kur dihet që në fundjavë luajnë me Kastriotin, vetëm një fitore ndaj kavajasve do të ngrinte moralin pas dy humbjeve radhazi që pësuan në kampionat.

RIKTHIMI – Klodian Duro i rikthehet trajnimit mbas një sezoni mjaft të suksesshëm me Kukësin, ku fitoi edhe Kupën e Shqipërisë. Ky ishte trofeu i parë për verilindorët, por edhe për vetë elbasanasin në rolin e trajnerit. Ish-mesfushori i Kombëtares thekson se vendimi për t’iu rikthyer profesionist ishte i mirëmenduar.

“Jam i kënaqur për rikthimin në detyrë dhe mbi të gjitha si trajner i Kamzës. Kam gjetur futbollistët e duhur për të shprehur atë që unë di të bëj më mirë. U puqën kushtet që unë të rikthehesha në krye të një klubi. Kam gjetur klubin dhe presidentin e duhur, e të gjithë së bashku të kemi suksesin që mendojmë në fund të sezonit. Kam besim tek ekipi dhe jam i bindur për cilësinë, e njohim mirë çdo hap që hedhim në aspektin e lojës”, përfundon ish-trajneri i Kukësit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"