Duro: Ndaj Vllaznisë janë në lojë të tre rezultatet, kanë marrë futbollistë të jashtëzakonshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 11:14

Duro: Ndaj Vllaznisë janë në lojë të tre rezultatet, kanë marrë futbollistë të jashtëzakonshëm

Shpëtim Duro kërkon një rezultat pozitiv sot në Shkodër përballë Vllaznisë. Në një prononcim të dhënë dje për mediat, trajneri i Flamurtarit theksoi se ndeshja në Shkodër është një përballje mes dy rivalëve që kanë traditë të madhe në futbollin shqiptar. Sipas kreut të pankinës kuqezi, ky takim i ka brenda të tria rezultatet, edhe pse Flamurtari synon të dalë me pikë të plota.

Shpetim Duro

“Kemi një ndeshje të radhës me Vllazninë, që si gjithë të tjerat edhe ajo ka specifikën e vet. Është një ndeshje e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Shpresojmë që në Shkodër të marrim një rezultat pozitiv. Është një ndeshje që i ka brenda të tria rezultatet. Kampionati ynë tashmë ka hyrë në një nivel tjetër, që nga fushat me infrastrukturë të mirë, pasi në gjitha stadiumet luhet futboll. Nëse skuadra luan mirë, mund të fitohet kudo.

Patjetër që Vllaznia është më e avancuar në këtë aspekt, ashtu sikundër është në aspektin e tifozerisë, por edhe të infrastrukturës, ku kemi një stadium modern. Por, do të shikohet se si do të reagojë skuadra në fushë. Është një ndeshje me dy rivalë me traditë në futbollin shqiptar, por që duhet të pranojmë që do të jenë të tria rezultatet”, është shprehur fillimisht trajneri i Flamurtarit.

VLLAZNIA

Duro komenton edhe kundërshtarin, që sipas tij ka lojtarë shumë cilësorë dhe mbi të gjitha është një skuadër e fortë. Trajneri parashikon një ndeshje shumë interesante.

“Pavarësisht se nuk ka marrë pikët e duhura, Vllaznia është një skuadër që është e organizuar, me një trajner që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar. Ka marrë futbollistë jashtëzakonisht cilësorë këtë sezon, duke filluar nga Orelesi, Hasani, Vucaj, Gilman Lika dhe Ribaj. Pra, ka bërë një merkato shumë pozitive. Është një skuadër e fortë dhe luftarake. Kështu që në këtë aspekt them se do të jetë një ndeshje tepër interesante për t’u ndjekur nga të gjithë”, theksoi trajneri.

NGARKESA

Ngjeshja e kampionatit, sipas trajnerit Duro, ka anët e saj pozitive dhe negative. Por, tekniku i vlonjatëve thotë se ka në dispozicion një grup lojtarësh që e përballojnë edhe këtë ngarkesë të madhe.

“Ngjeshjen e kampionatit e kemi mirë parasysh. Ndonjëherë është negative, por ka raste që del edhe pozitive. Të gjitha skuadrat e kanë marrë parasysh këtë kalendar dhe duhet ta përballojnë këtë ngjeshje. Skuadra ka organikën e plotë, pavarësisht se mund të kemi skarcitete gjatë ndeshjeve. Kemi lojtarët e nevojshëm për ta përballuar këtë situatë”, përfundoi kreu i pankinës së Flamurtarit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"