Duro: Mziun e ftoj në stadium, luajmë për fitore me Skënderbeun

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 21, 2018 | 11:05

Duro: Mziun e ftoj në stadium, luajmë për fitore me Skënderbeun

Trajneri Klodian Duro është besimplotë se skuadra e tij mund të marrë një rezultat pozitiv edhe në stadiumin e korçarëve. Ish-futbollisti kuqezi që ka rreth një muaj që e drejton skuadrën e Kamzës, gjatë një interviste dhënë për “Panorama Sport” ka theksuar atë, që të gjithë trajnerët duan “kohën e nevojshme”. Koha ka ecur, por Kamza e tij edhe pse i ka kënaqur me lojë, ka ngecur në pikë, ndoshta do të tentojë një rezultat pozitiv në Korçë.

duro

Gjatë kësaj jave ka pasur replika mediatike mes Qarrit dhe Mziut…

Synimet tona janë për ta çuar edhe më tej në zonën që të çon në Kupat e Europës, që këtë sezon. Mendoj se kështu plotësojmë dhe ëndrrën, dëshirën dhe kënaqësinë e kryebashkiakut Mziu dhe e ftoj që shumë shpejt, ai të jetë i pranishëm dhe në shkallët e tribunës. Sa më shpejt të gjithë së bashku të ulemi në tavolinë për të marrë vendimet e duhura, për ta parë Kamzën konkurruese në Kupat e Europës.

Profesor, a jeni i kënaqur në aspektin e lojës?

Sigurisht që më e vështira në futboll është të krijosh një modul loje, realisht ne e kemi krijuar. Jam i kënaqur, pasi në një kohë rekord në rreth një muaj, kemi krijuar një mundësi loje me shumë pasime dhe me një logjikë për të shkuar te goli. Kanë mbetur vetëm disa gabime të vogla që na kanë kushtuar rëndë. Realisht po ta shikosh mënyrën se si kemi luajtur, e kupton sesi kemi shënuar gola mjaft të bukur, logjikën e lojës me aksione të rrjedhshme. Në shumë prej ekipeve të tjera, golat kanë ardhur ose nga goditjet standarde, nga 11- metërshat, ose nga këndi.

Çfarë keni menduar të prisni më shumë nga skuadra?

Deri tani jam shumë i kënaqur, duke gjetur ambientin e duhur për të punuar me mjaft dëshirë. Jam i kënaqur me të gjithë futbollistët për atë që na takon në fushën e stërvitjes dhe atë çfarë ata shprehin në fushën e lojës.

kam

Keni pasur një kohë pushimi për të rikuperuar mungesat, por edhe gabimet që ju vlerësuat më lart…

Kemi pasur kohë të mjaftueshme për të riparuar shumë gjëra. Ajo që është më e rëndësishme, ka qenë kohë e mjaftueshme edhe për rikuperimin e të dëmtuarve, siç është Beqiri, Plaku me kaviljen, Roloviç apo Malaj që ka shfaqur dëmtimet e vjetra në gju. Gjithsesi, disa prej tyre do të jenë të gatshëm, ndërkohë që të tjerë duan ende kohë.

Si e shihni përballjen e Korçës, kur Skënderbeu po shfaq nga ndeshja në ndeshje përsëri synimet për fitimin e titullit?
Për ne është një ndeshje e radhës, ashtu siç kanë qenë të gjitha ndeshjet e tjera. Duke qenë se ndeshemi me ekipin kampion dhe ndeshjet në Korçë bëhen interesante, ky është dhe motiv për ne që të mobilizohemi e të përkushtohemi maksimalisht për të vijuar vazhdimësinë e rezultateve pozitive, pas barazimit me Flamurtarin, ku mendoj se duhej të merrnim tri pikë.

Në këtë ndeshje, Kamza do t’i përshtatet lojës së Skënderbeut apo do të zhvillojë lojën e vet të zakonshme?

Ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Ne kemi një të rrallë që nuk e kanë paraqitur ekipet e tjera, për mënyrën tonë të lojës, pavarësisht nga koha e shkurtër në dispozicion, ekipi ka krijuar mentalitetin e vet në lojë. Jam optimist se që nga ndeshja e radhës ekipi ynë, përveç lojës së mirë, do të marrë dhe rezultat pozitiv.

Kë mund të quani rezultat pozitiv, fitoren apo dhe barazimin?

Për ne rezultat pozitiv është maksimumi. Dhe maksimumi do të thotë fitorja. Sigurisht në qoftë se jep maksimumin në fushë, do të vijë patjetër dhe fitorja. Mendoj, se duke dhënë gjithçka, do të vijë dhe fitorja.

Abdulla Dushku





www.minuta90.com