Duro: Mund të barazonim, por lojtar si Mazrekaj nuk vjen më në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2017 | 18:40

Duro: Mund të barazonim, por lojtar si Mazrekaj nuk vjen më në Shqipëri

Flamurtari vazhdon të notojë në ujëra të turbullta në klasifikim pas humbjes 2-1 ndaj Partizanit por trajneri Shpëtim Duro beson se ka parë sinjale shumë pozitive te reagimi i skuadrës së tij në fushën e lojës. Në “Gol pas Goli” ai deklaroi se po të mos ishte Mentor Mazrekaj në radhët e Partizanit, vështirë se të kuqtë do të krijonin rrezikshmëri.

duro

Për humbjen përballë Partizanit

“E filluam ndeshjen 0-2 ndaj një skuadre pretendente si Partizani dhe sigurisht nuk është diçka pozitive. Por direkt pas dy golave të Partizanit mendoj se skuadra u ngrit shumë dhe kërkuam të shënonim me Danilon. Edhe në pushim u thashë çunave që po luani mirë dhe goli do hapi ndeshjen. Mund të kishim përfunduar në barazim, por e filluam ndeshjen me 0-2”.

Për mungesat e ekipit

“E kam thënë që para ndeshjes se sot na nevojitej shumë Bushiç, se është lojtar zone, punon për skuadrën. Por njëkohësisht duke luajtur ai bëhet pikë referimi, rritet edhe rendimenti i Danilos. Mungesa e tij dhe vendosja e Danilos në krah i jep pamje tjetër skuadrës. E kam thënë që vetëm me Kukësin kisha skuadrën e plotë dhe zhvilluam ndeshje të mirë. Edhe në mbrojtje mungonte Jakovljeviç që është pikë e fortë. Ishte një ndeshje që edhe mund të merrnim më shumë si u zhvillua loja”.

Për pasiguritë që shfaq ekipi

“Sot u goditëm që në fillim, se me Teutën ishte në minutën e 95. Kjo nuk është pozitive, sepse kisha marrë masat gjatë javës sidomos për Mazrekajn. Por cilësitë e tij dhe neglizhenca e fillimit të lojës të disa futbollistëve tanë sollën dy golat. Mazrekaj është futbollist që bën diferencën. E kam thënë se lojtar si Mazrekaj nuk vjen më këtu, është futbollist që bën diferencën te Partizani dhe kampionati shqiptar. Jam i bindur që nëse nuk do të ishte Mazrekaj, rrezikshmëria e Partizanit do të binte dhe nuk besoj se do të shënonte që në fillim”.

Për reagimin e ekipit

“Partizani ishte 2-0 dhe normalisht shumë i qetë psikologjikisht. Ne si trajnerë mendojmë më të keqen dhe besojmë se edhe mund të shkojë ndeshja në shthurje, mua më ngroh fakti që pas 2-0 skuadra luajti mirë, patëm situatën nën kontroll, ishim pranë barazimit. Kjo më ngroh më shumë, skuadra reagoi, nuk pati shthurje”.

Për mbrojtjen e skuadrës

“Të humbësh një ndeshje me Partizanin në transfertë nuk është gabim i madh, por mendoj se mund të merrnim më shumë. Unë si trajner bëj një analizë para ndeshjes me Partizanin dhe e rëndësishme është që skuadra është forcuar shumë në mbrojtje, pavarësisht momenteve të veçanta.

E bëj bilancin me Kukësin që erdhi vetëm një herë në portën tonë, ndalëm lojtarë cilësorë. Me Tiranën nuk lejuam asnjë rast, Teuta nuk bëri asnjë rast me përjashtim të momenteve të fundit. Unë them që kam realizuar qëllimin që kam pasur për të përmirësuar mbrojtjen. Jam i qetë se skuadra ka reaguar mirë dhe mungesat janë të rëndësishme. Disa lojtarë nuk i kam në kondicion si Shkodrën dhe këto ndikojnë në cilësinë e lojës”.

Për lojën e Telushit

“Telushin e kam menduar si pikat me të forta dhe patjetër që është i tillë, por këtë duhet ta vërtetojë në fushën e lojës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"