Duro mesazh Qarrit: Kam ardhur i fundit te Kamza, i tillë largohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2018 | 12:44

Duro mesazh Qarrit: Kam ardhur i fundit te Kamza, i tillë largohem

Trajneri Klodian Duro pritet që të mos ketë tre titullarë në duelin e sotëm. Por, trajneri në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” një ditë para ndeshjes, pohoi se tashmë janë mësuar t’ia dalin edhe me mungesa. Duro është i bindur se ndaj të kuqve Kamza do të kthehet te fitorja.

duro

Trajneri pohoi se ndihet i qetë dhe ultimatumin e vënë nga presidenti që po nuk fitoi të largohet, nuk e shikon si presion, por motivim për të marrë më të mirën. Klodian Duro ka lënë të kuptojë se cilido të jetë rezultati i sotëm ndaj Partizanit, nuk e mendon dorëheqjen nga Kamza, pasi ka ardhur i fundit dhe si i tillë do të largohet. Ai ka besim se lojërat e mira tani do të konkretizohen edhe me pikë, gjë të cilën e pret që sot ndaj Partizanit.

Ju mungojnë tre titullarë, si mund ta përballoni Partizanin?

Unë jam trajner dhe jam përgjegjës për punën time dhe nga përvoja jemi mësuar tashmë me mungesat, të cilat kanë qenë pothuajse në çdo ndeshje që kur kam marr përsipër të drejtoj Kamzën. Duhet ta dini se Kamza është një ekip profesionist dhe si i tillë janë të pranishme edhe mungesat. Por, ne jemi mësuar dhe kemi në dispozicion 23 lojtarë të tjerë. Kemi përballuar pa Teqjan e Beqirin, po kështu kemi pasur edhe problemet me lojtarë të tjerë. Gjithnjë kemi ditur të ndërtojmë një formacion që ka dhënë spektakël në fushë, pavarësisht se nuk është konkretizuar me fitore. Jemi stërvitur rregullisht gjatë gjithë javës, duke kërkuar sa më shumë nga lojtarët. Sigurisht, skuadra po kalon një moment të vështirë, duke pasur mjaft dëmtime e pezullime. Kemi punuar gjatë javës që sot në fushë të hedh 11- shen më të mirë.

A i keni alternativat e duhura për t’i zëvendësuar mungesat?

Sigurisht që po. E thashë më lart që me 23 lojtarët e tjerë që kam në dispozicion, kemi punuar që të nxjerrim formacionin e aftë për të përballuar Partizanin. Në çdo ndeshje, ne futemi me bindjen për ta fituar, pavarësisht se nuk jemi të kënaqur nga rezultatet e arritura. Por, kjo gjithnjë kërkon një kohë relativisht të nevojshme për të arritur sukseset. Suksesi sigurisht që do të vijë dhe shumë shpejt skuadra jonë do të marrë rezultatet pozitive. Ne punojmë çdo ditë bashkë, edhe klubi më ka mbështetur, por pritshmëritë nuk kanë qenë në atë masë që ne dëshirojmë.

Çfarë prisni nga ndeshja kundër Partizanit?

Ne në çdo ndeshje hyjmë për fitore dhe patjetër që edhe në këtë takim do ta kërkojmë trepikëshin. Ky është dhe takimi që skuadra do të marrë fitoren, sepse do të jetë e përkushtuar për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo përballje. Keni një ultimatum nga ana e presidentit Qarri, ku nëse nuk arrihet fitorja duhet të shkoni në shtëpi.

kam

Sa e ndieni këtë presion dhe në rast se do të dështonit ndaj të kuqve, a do të jepni dorëheqjen?

Pa dyshim më vjen shumë keq për ecurinë e skuadrës gjatë këtyre javëve që unë kam marrë drejtimin e Kamzës. Por, tani jam i qetë, sepse na kanë shoqëruar ndeshje të bukura dhe humbjet kanë ardhur për disa gabime të vogla. Ne do t’i evidentojmë dhe përmirësojmë nga java në javë. Unë nuk jam nga ata që dorëzohem lehtë, kam ardhur i fundit në ekip dhe si i tillë do të kem kohën për t’u larguar. Jam mësuar me presionet dhe gjithnjë ato më bëjnë mirë, më vënë në lëvizje për të punuar më shumë. Por mund të them me bindje, që nga ky takim fillon dhe rruga jonë e ngjitjes e nuk do të ndalemi deri në realizimin e objektivave tona. Kemi punuar shumë në aspektin psikologjik dhe taktik me skuadrën. Jam i bindur se kjo mënyrë loje dhe paraqitjet e bukura që kemi zhvilluar, shumë shpejt do të japin frytet e veta. Mendoj se është një ndeshje që do të vëmë në punë të gjithë faktorët për ta fituar takimin.

Qarri ka deklaruar se nuk më duhen lojërat e bukura, por pikët të cilat i mungojnë ekipit?

Jo vetëm Qarri, por edhe unë jam disi i zhgënjyer nga rezultatet e deritanishme të ekipit tim. Pavarësisht këtyre problemeve, klubi më ka mbështetur vazhdimisht në punën time, duke më lejuar që të punoj i qetë. Ne na ka munguar më shumë pjesa e vazhdimësisë, pasi ne së bashku, që në ndeshjen e parë e kemi nisur me fitore në Kupë. Më pas kemi fituar pastër ndaj Kastriotit, por kemi humbur vetëm në fundin e ndeshjeve disa takime, ku kemi zhvilluar ndeshje të bukura kundër Kukësit, Flamurtarit, Skënderbeut e Tiranës. Sigurisht kanë ndikuar shumë dhe dëmtimet si Plaku, Malaj, Roloviç, Beqiri, probleme që i kam pasur që kur nisa aventurën me Kamzën. Problemet që na kanë shoqëruar, do të zgjidhen. Këto që kemi kaluar ne, tani po i kalojnë ekipet e tjera dhe kjo është normale në çdo klub të Superiores. Jam më se i sinqertë dhe i qartë për atë çka ndodh. Shpresoj se do të jetë një ndeshje ku Kamza do të dalë te fitorja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"