Duro mbyll merkaton: Mora çfarë desha, ky është Flamurtari im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2017 | 13:38

Duro mbyll merkaton: Mora çfarë desha, ky është Flamurtari im

Shpëtim Duro është i kënaqur me tri ditët e para të fazës përgatitore në Mavrovë të Maqedonisë. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit tregon për kushtet ku po zhvillohet faza përgatitore e verës, por jo vetëm.

shpetim duro

“Përgatitjet këtu në Mavrovë të Maqedonisë janë duke ecur mjaft mirë. Kushtet janë optimale dhe ky është një plus më shumë për përgatitjet që ne po bëjmë.

Janë ditët e para, por unë dua të them se të gjithë lojtarët janë seriozë dhe punojnë mirë. Këtë gjë e vë re tek i gjithë grupi dhe me këtë rast i falënderoj.

Flamurtari stervitje

Ata kanë përkushtim, seriozitet dhe profesionalizëm. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme për një fazë përgatitore”, deklaroi fillimisht Duro, për të folur më pas për merkaton, të cilën e shikon të mbyllur, teksa sipas tij ekipi është i plotësuar.

Vlonjatet

“Ky do të jetë Flamurtari i sezonit të ardhshëm. E kam thënë dhe e përsëris, nuk do të kemi më afrime. Merkaton e kemi të mbyllur, pasi kemi shumë lojtarë dhe nuk kemi nevojë për të tjerë. Ata lojtarë që unë doja të afroja, tashmë i kam. Jemi të kompletuar në çdo repart”, thekson trajneri.

SITUATA

Në një kohë që ekipi ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, Duro beson se ky Flamurtar është ndryshe nga ai i kampionatit të kaluar. Për trajnerin, qëllimi i tij është ndërtimi i një ekipi që vlonjatët e meritojnë. “Unë kam patur gjithmonë bindjen se vlonjatët meritojnë një Flamurtar që t’i përfaqësojë denjësisht.

Flamurtari

Këtë bindje e kam patur kur vendosa të qëndroja në Vlorë dhe të nisja punën për ndërtimin e ekipit të ri. Kam bërë mirë apo kam bërë keq, këtë gjë do ta vërtetojë koha, por jam i sigurt se kam bërë mirë. Kështu që mendoj se do të shihni një Flamurtar ndryshe, një ekip që të përfaqësojë Vlorën siç e meriton”, përfundoi Duro.

Ndërkohë, sulmuesi nga Mali, Ibrahim Tungara, pritet t’i bashkohet Flamurtarit pas disa ditësh. Burime pranë klubit vlonjat, bëjnë me dije për “Panorama Sport” se futbollisti afrikan ka kërkuar leje disa ditë për arsye familjare. Nuk ka një datë fikse se kur ai do t’i bashkohet Flamurtarit, por gjithçka është e mbyllur tashmë dhe Tungara llogaritet si pjesë e kuqezinjve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"