Duro kërkon nga sulmi që të bëjë diferencën, zhduket mbrojtja e Kukësit. Ja situata te verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 17:08

Duro kërkon nga sulmi që të bëjë diferencën, zhduket mbrojtja e Kukësit. Ja situata te verilindorët

Kukësi ka arritur të grumbullojë 21 pikë në 13 javë kampionat, duke u renditur në vendin e dytë me 4 pikë më pak se Partizani i vendit të parë. 

kukesi

Nënkampionët kanë zhvilluar një kampionat me ulje ngritje sa i përket rezultateve dhe lojërave. Duke pasur një sulm “atomik” me emra mjaft të spikatur drejtuesit kanë pritur e presin shumë prej tyre. Sulmi përbëhet nga Vasil Shkurtaj, Kristal Abazaj, Markovanbasten Cema, Enis Gavazaj, Mirlind Daku e i riu Fluturim Domi. Deri tani numrat justifikojnë, por nuk favorizojnë sulmin e Kukësit.

Janë plotë 16 gola të shënuar nga ekipi kuksian, të cilat kanë një shpërndarje në raport të zhdrejtë me sulmin. Reparti i avancuar ka shënuar 10 gola (7 Shkurtaj, 2 Abazaj, 1 Daku), e golat e tjerë janë shënuar nga mesfusha (2 Rroca, 1 Limaj, 1 Ethemi, 1 Musta), ndërsa goli që plotëson numrin 16 është autogol. Kukësi zë vendin e tretë në kampionat sa i përket sulmit, pasi vendin e parë e mban Tirana me 20 gola, Bylis 19, Partizani 16 po aq sa verilindorët. Mbrojtja e Kukësit ka bërë një punë të mirë, pasi pozicionohet në vendin e tretë me 10 gola të pësuar, po aq sa dhe Bylis, por këta të fundit kanë çeduar, duke mos ndihmuar sulmin me gola të shënuar.

shpetim duro

Kur në sezonet e shkuara mbi 10 gola në sezonin vinin nga qendërmbrojtësit, pasi ishkapitenët Shameti e Malota, por dhe të tjerë shënonin mbi 5 gola në sezon, tashmë duket se kjo traditë te Kukësi po zhduket, ndoshta për shkak dhe të shtatlartësisë, por dhe aspektit tekniko-taktik që përdorin stafet teknike. Gjithsesi, presidenti Gjici kërkon më shumë nga sulmi, pasi vlerat që ka harxhuar për afrimin dhe pagesat për të afruar sulmues si Shkurtaj, Abazaj e Gavazaj janë me të vërtetë të larta për në Shqipëri. Stafi drejtues kërkon që sulmuesit të jenë më eficientë në vazhdimësi në kampionat, pasi numrat tregojnë vetë.

PRITEN MUNGESA – Klubi i Kukësit ka lënë dy ditë pushim ekipin, por duket se këto nuk mjaftojnë. Është thirrur ekipi për të dalë në stërvitje ditën e sotme në orën 10:30, por shumë lojtarë pritet të mos e zbatojnë urdhrin e klubit, pasi vetë situata dhe frika, nuk i lejon të rikthehen në Tiranë, natyrisht për pak ditë.

Shumica dërrmuese e lojtarëve janë larguar drejt qyteteve të tyre, futbollistët që janë nga shtetet fqinjë absolutisht kanë ikur që ditën e martë dhe në bazë të informacioneve, ata do të rikthehen pak ditë më vonë. Shumica e lojtarëve të Kukësit nuk do të rikthehen në banesat që kanë me qira apo në pronësi, të paktën për disa ditë apo javë, sa të stabilizohet situata.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"