Duro: Kam qenë i pafat, tek lojtarët nuk shoh mos marrje përgjegjësish. Rasti i Hoxhajt ishte penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 19:21

Duro: Kam qenë i pafat, tek lojtarët nuk shoh mos marrje përgjegjësish. Rasti i Hoxhajt ishte penallti

Çfarë nuk shkoi sot te skuadra?

Patëm disa raste në pjesën e parë. E filluam jo mirë, Partizani na vuri në vështirësi. Gradualisht hymë në lojë dhe patëm 3-4 mundësi me Zukën, Hoxhajn apo Alvesh. Nëse do shënonim, ndeshja do kishte rrjedhë tjetër. Kjo ndeshje përcaktohej nga një episod. Partizani shënoi me një pakujdesi, veprim amatoresk. Nuk ishte një rast i pastër goli. Kjo gjë na vështirësoi punën. Ishte një ndeshje në një terren të vështirë, dhe do përcaktohej vetëm nga një episod.

duro1

Çfarë po ndodh me sulmuesit që nuk arrijnë të  gjejnë rrjetën?

Ngarkesa psikologjike, presioni bëjnë të vetën, edhe pse kanë pasur raste. Janë gjëra që ndodhin me sulmuesit në momente të veçanta.

Me futjen e Kamaras, rrezikuat të luanit me 4 sulmues. Ka ardhur koha ta provoni më shpesh këtë mënyrë?

Gjatë gjithë ndeshjes, edhe me Kamzën, ndryshova. Kam kërkuar të shënoj, kjo ishte arsye. Sipas situatave, u detyrova të aktivizoj 2 sulmues qendre me 2 lojtarë krahu.

Çdo ndeshje keni probleme me mungesat. Sa vështirë e keni të përgatisni një ndeshje?

E kam thënë disa herë, nuk dua të përmend mungesat. Këto 3-4 ndeshja u shoqëruan me mungesa dhe dëmtime, dhe nuk morëm as pikë. Këto gjëra ndikojnë psikologjikisht tek skuadra. Ka qenë një muaj i tmerrshëm, shpresojmë që në prill, tani që kemi ndeshjet vendimtare në kampionat dhe gjysmëfinalet e kupës. Kam qenë edhe i pafat, sepse është folur për dështim në merkato. Muarem dhe Tunkara kanë ardhur vonë. Jemi në një moment jo pozitiv, por shpresojmë që të bëjmë diçka të tregojmë gjendjen që kemi pasur gjithë sezonit.

Tunkara kush e ka sjellë në ekip?

Që të bësh 1 apo 2 gabime, është normale. Por, unë nuk e quaj gabim ardhjen e Muarem apo Tunkara. Muarem u dëmtua para se të rifillonte kampionati. Tunkara pësoi një tërheqje. Është fati ynë i keq. Zoti Idrizi, me sugjerimin e Igli Tares, vendosi të sillte Tunkara këtu. Fati i keq i skuadrës.

Idrizi thotë që përveç gabimeve të arbitrave, te Flamurtari lojtarët nuk marrim përgjegjësi sa duhet. Keni konstatuar ju diçka të tillë?

Kur vijnë rezultatet, faktorët janë të shumë. Skuadra ka qenë solide në 2 fazat e para, nuk kemi pasur dëmtime. Në këto 4-5 ndeshjet e fundit, u mblodhën të gjitha gjërat bashkë, dhe futbolli është i tillë. Kemi një ngërç psikologjik. Nuk mund të gjej ndonjë faktor që t’i them për mosmarrje përgjegjësie. Edhe gabimet në momente të veçanta, kanë sjellë në këtë situatë.

Rrëzimi i Hoxhajt brenda zone…

Në atë moment thashë se është 11-metërsh. Hoxhaj po shkonte drejt portës. E kam thënë, jam i dorëzuar me arbitrat. Nuk flas më. Kjo ishte gjëja më minimale, sepse nëse do ishte penallti, do vështirësohej çdo gjë për Partizanin. Me ato që na janë bërë këtë vit, kjo është vetëm si “akullore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"