Duro: Fituam me lojtarë të sëmurë, fat që disa luajtën deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 21:49

Duro: Fituam me lojtarë të sëmurë, fat që disa luajtën deri në fund

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e ka cilësuar këtë të sotmen një fitore sakrifice. Tekniku i vlonjatëve ka treguar se për shkak të një viroze, për shumë lojtarë kishte qenë thuajse e pamundur që të luanin deri në fund.

duro

“Kisha lojtarët të sëmurë, më kërkuan ndërrim. Situata ishte e tensionuar, 4-5 vete më kërkuan ndërrim si Shehaj, Jakovljeviç, Hyseni apo Neziraj. E kam parë veten shumë në vështirësi. Por ishte fat që disa qëndruan në fushë deri në fund gjatë pjesës së dytë. Ishin ndërrime të detyruara ato që bëra. E rëndësishme që çdo gjë përfundoi me sukses”, tha Duro në “Gol pas Goli”.

I pyetur nëse e mendonte Europën tani që skuadra dukej më e shkëputur nga fundi dhe mund t’i ktheheshin pikët e hequra, Duro deklaroi se ishte i qetë në këtë aspekt. “Sinqerisht them që nuk e mendoj fare vendin e katërt. E rëndësishme është se kam qenë në pozitë të vështirë kur kam marrë skuadrën. Por është një ekip me emër dhe dua të mbijetojë në Superiore, se si zhvillohen situatat është temë tjetër”, tha ai.

Sipas tij, kjo ndeshje tregoi se Flamurtari ka arritur deri diku një ekuilibër dhe e meritonte fitoren.

“Pati situata shumë të vështira për skuadrën tonë gjatë ndeshjes, por kishte dhe situata pozitive, mundësi shënimi kishim më shumë, sidomos në pjesën e parë. Patjetër edhe Tirana na ka vënë në vështirësi.

Them se skuadra jonë kishte edhe aspekte negative, nga ngarkesa psikologjike dhe se shumë lojtarë nuk ishin në kondicionin e duhur. Por aspekt pozitiv është që në 5 ndeshje kemi pësuar vetëm 2 gola. Kjo tregon se ka një ekuilibër pozitiv.

Pastaj në momente loje ne jemi në një situatë të tensionuar. Ishte një ndeshje ndaj Tiranës që pavarësisht pozicionit, Tirana ka futbollistë jashtëzakonisht cilësore se është ndërtuar për nivele të larta, por kampionati e ka kapur keq, si ne. Në këtë aspekt e vlerësoj jashtëzakonisht këtë fitore të pastër me Tiranën.

Në futboll nuk ka kurrë siguri, fiton apo humbet. Unë jam njeri që i pranoj situatat e rezultatet. Ndeshje e vështirë si ishim me pikë të barabarta, pro e rëndësishme është që u mbyll me sukses”, deklaroi Duro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"