Duro “fikson” titullarët, Ethemi i sakrifikuari i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 22:29

Duro “fikson” titullarët, Ethemi i sakrifikuari i madh

Kukësi vazhdon fazën përgatitore në Antalia që prej 4 janarit. Kur kanë kaluar 9 ditë që prej zhvendosjes në tokën turke, skuadra e udhëhequr nga trajneri Shpëtim Duro ka zhvilluar plot 16 seanca stërvitore mes ngarkesave maksimale. Dhe efektet te forma e lojtarëve kanë qenë më shumë se pozitive. Një gjë e tillë u pa edhe në të vetmen miqësore që kanë zhvilluar deri më tani, atë kundër Malatjaspor. Verilindorët bindën në lojë, duke dhënë shpresa për pjesën e dytë të sezonit që është në prag. Me shumë interes në atë ndeshje u pa edhe rreshtimi, ndërsa binte në sy lënia në stol e Vasil Shkurtajt.kukesii

Një zgjedhje që shtoi dyshime, e megjithatë gazeta mëson se nuk ka asnjë prapaskenë. Gjithçka ka ndodhur prej ngarkesave që lojtari ka marrë, ndaj stafi teknik ka dashur ta kursejë dhe ta ruajë nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Duket se njëjta gjë do të ndodhë dhe në ndeshjen e dytë që luajnë nesër me Politehnika Lasin. Veç shtatlartit, edhe Enis Gavazaj është në dilemë për ta nisur nga fillimi këtë të mërkurë. Nëse anësori nuk luan nga minuta e parë, atëherë do të zëvendësohet prej Valon Ethemit.

RRESHTIMI – Këto eksperimente nuk kanë të bëjnë me ndryshim në strategji apo në 11-she. Në kampionat, formacioni nuk do të lëvizë (gjithnjë nëse nuk ka mungesa për shkaqe dëmtimesh apo pezullimesh). Mund të thuhet me siguri se ndaj Luftëtarit, formacioni është fiksuar që tani. Skema do të jetë 4-3-2-1. Dashamir Xhika do të mbrojë portën, Edis Maliqi mbetet “zot” në linjën e djathtë të mbrojtjes, në qendër gjithashtu Olsi Teqja e Erhun Obanor, ndërsa në të majtë është i padiskutueshëm Emiljano Musta.
kukesi

Mbrojtësi shtatlartë elbasanas pëlqehet shumë nga trajneri, i cili e përdor në gjithë linjën e majtë, shpeshherë si mesfushor, por dhe si sulmues të majtë. Edhe pse ia ka dalë me sukses në çdo improvizim, ai kthehet në pozicionin e tij natyral. Në mesfushë do të rreshtohen Vesel Limaj, kapiteni Besar Musolli, e fantazisti Eduart Rroca. Mesfusha do të kompletohet me Kristal Abazajn dhe Enis Gavazjan disi më të spostuar nga krahët. Ndërsa sulmi i mbetet të padiskutueshmit, Vasil Shkurtaj. “Bomberi” ka shënuar 11 gola në 14 ndeshje të luajtura e siç vetë e theksoi në një intervistë për gazetën, kërkon minimalisht të shënojë 20 gola deri në fund.

ETHEMI – Në këto kushte mbetet jashtë Valon Ethemi, i cili është i sakrifikuari i madh. Edhe pse 22-vjeçari mban statusin e zv.kapitenit, nuk do të jetë titullar para Kristal Abazajt. Ky i fundit është lojtari më i paguar te Kukësi, me 8 mijë rrogë mujore (Kukësi jep pjesën e saj, nga 20 mijë euro që paguhet Kristal Abazaj prej Anderlehtit). Ethemi luan dhe majtas, por në këtë krah është Enis Gavazaj që e ka blinduar.

Forma e tij është në rritje dhe ish-kontingjenti i Kombëtares po synon që nga Kukësi të transferohet në një kampionat të huaj. Kosovari është aktivizuar në 14 takime nga 17 javë, 11 prej të cilave si titullar.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"