Duro “driblon” para Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2016 | 9:15

Duro “driblon” para Vllaznisë

Trajneri i Kukësit, Klodian Duro, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për situatën e skuadrës, të cilën e konsideron shumë të mirë, pasi po shikohen frytet e punës së bërë nga të gjithë në seancat stërvitore.

Trajneri i Kukesit, Klodian Duro, gjate ndeshjes se futbollit, Teuta-Kukesi, 0-0, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin Niko Dovana, ne Durres. /r/n/r/nKukesi's coach Klodian Duro during the Albanian Super League football match Teuta vs Kukesi, 0-0, at the Niko Dovana stadium in Durres.

Pra, nën drejtimin e tij, skuadra ka krijuar një fizionomi fituese. I pyetur për përplasjen me drejtorin e përgjithshëm Ekrem Spahiu, trajneri e anashkalon, duke dhënë një përgjigje diplomatike. Ndërsa për ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë, Duro thotë se skuadra do të hyjë në fushë si gjithmonë vetëm për fitore.

Klodi, nuk udhëtuat me skuadrën në Vlorë dhe nuk dolët në stërvitje një ditë para ndeshjes. Për çfarë arsyeje ndodhi kjo?

Që kur i jam bashkuar Kukësit kam punuar pa pushim, që të formonim një ekip konkurrues, si dhe të arrinim këtu jemi tani. Duke parë ecurinë e fillimit, mora përsipër detyrën që Kukësit të mos i shkonte dëm një sezon. Kam punuar pa pushim me qëllim e vetëm që Kukësi të shkojë në Kupat e Europës nga kampionati, si dhe të fitojmë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe, ne ia kemi arritur qëllimit tonë, pasi jemi në vendin e tretë dhe nuk e lëshojmë deri në fund, si dhe kemi siguruar finalen e Kupës.

Një klub nuk mund të quhet kampion pa marrë edhe trofeun e Kupës. Punën tonë e kanë treguar edhe rezultatet nga java në javë, ku kemi krijuar një fizionomi loje tonën të qartë dhe ecim para drejt suksesit. Sigurisht që gjatë rrugës mund të ketë edhe problematika, por ne kemi krijuar një skuadër, e cila di të ngrihet dhe të kalojë problematikat.

Kemi të dhëna që jeni konfliktuar me drejtorin Spahiu, kjo ishte dhe arsyeja që nuk udhëhoqët skuadrën në Vlorë?

Kemi krijuar një fizionomi loje të qartë. Skuadra e jep verdiktin e saj me Duron apo pa Duron dhe vazhdon rrugën e fitoreve.

E patë ndeshjen me Flamurtarin dhe a dhatë porosi nga larg?

Edhe pse unë nuk isha fizikisht në Vlorë, isha bashkë me futbollistët, pasi ne kishim punuar gjatë gjithë javës dhe e dinim çfarë duhet të bënim. Po e përsëris sërish se kemi krijuar një fizionomi të tillë dhe një frymë grupi që çdokush nga ne e di se çfarë duhet të bëjë. Jam ndier krenar për futbollistët që stërvis, pasi ata dominuan në këtë takim, ndonëse kishim mungesa të shumta.

U rikthyet në krye të ekipit shumë shpejt ku nisët punën për Vllazninë. Si e shikoni përballjen me shkodranët?

Kemi pasur pak kohë në dispozicion për këtë takim, por si gjithnjë kemi bërë punën e duhur. Skuadra ka kapacitetet e nevojshme dhe sigurisht që do të zbresim në fushë vetëm për fitore.

Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja palët, Kukësi do vendin e tretë, shkodranët që të dalin nga zona e rënies. Ju si e vlerësoni?

E respektoj kundërshtarin, por Kukësi shikon punën tij. Puna dhe detyra jonë është që në këtë ndeshje të marrim vetëm tri pikët.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"