Duro do “tripletën” me Flamurtarin: Të shkëlqejmë për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 9:49

Duro do “tripletën” me Flamurtarin: Të shkëlqejmë për tifozët

Flamurtari ka më shumë se 21 muaj që nuk merr 9 pikë radhazi. Ishte 31 janari i 2016-ës, kur kuqezinjtë mbyllnin ciklin e tri fitoreve të njëpasnjëshme (asokohe mposhtnin Bylisin, Skënderbeun dhe Teutën). Kur kanë kaluar afro 2 vite, vlonjatët nuk po bëjnë dot “tripletën”.

Duro

Sipas Shpëtim Duros, me rikthimin e ekipit në Vlorë, duhet një trepikësh për tifozët. Në konferencën e dhënë dje për mediat, trajneri rrëfen se në planet e tij ishin tre lojtarë të Luftëtarit, ndërsa hapur e thotë që ka një debulesë për Dejvi Bregun. Ai i vlerëson gjirokastritët, ndërsa thekson se loja e kundërshtarit të sotëm bazohet tek aftësitë e Bregut dhe Abazajt.

Profesor, Flamurtari rikthehet në shtëpi në takimin me Luftëtarin. Si e vlerësoni këtë fakt?

Pozitive është, sepse rikthehemi në fushën tonë dhe shpresojmë që para tifozëve tanë të bëjmë një paraqitje dinjitoze. Duhet thënë që nesër (sot), disa futbollistë do prezantohen për herë të parë para publikut vlonjat. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë që të kemi sukses.

Flamurtari

Mund të themi se ka eufori në ekip, në një kohë që numërohen dy fitore dhe 6 pikë?

Unë personalisht nuk jam euforik. Kam punuar me skuadrën gjatë gjithë javës. Kam futbollistë me personalitet dhe përvojë, që dinë të sillen në situata të tilla. Ndaj nuk ka vend për eufori.

Në fund të fundit, kemi bërë detyrën tonë. Atmosfera është e mirë, sidomos pas fitores së fundit në Durrës. Kanë kaluar vetëm 3 javë dhe këtë duhet ta kemi mirë parasysh. Si staf dhe si skuadër duhet ta dimë se kampionati prodhon edhe humbje, veç fitoreve. Dhe, po, ne kemi për detyrë që të dalim nga gjendja negative, në rast se ndodh kjo.

Vetëm fitore prisni me Luftëtarin, apo do t’i gëzoheni edhe një pike?

Skuadra duhet të luajë mirë, ashtu siç ka luajtur në të gjitha ndeshjet. Nëse kjo ndodh, atëherë fitorja dhe humbja janë gjithmonë bashkudhëtare në një takim. Unë jam me këmbë në tokë, ndaj rezultatin t’ia lëmë fushës së lojës.

flamurtari

Cili është vlerësimi për kundërshtarin?

Respekt maksimal për Luftëtarin. Është një nga skuadrat më të mira të kampionatit. Është po ajo skuadër e sezonit të kaluar dhe nuk ka ndryshime. Unë një kuriozitet mund t’u them që tre lojtarë të Luftëtarit kanë qenë pjesë e projektit tim për të ardhur te Flamurtari, por për arsye kontratash me skuadrën e Luftëtarit nuk arrita t’i marr. Në këtë aspekt, vlerësimi im për Luftëtarin dhe të gjitha skuadrat e tjera është maksimal.

Kemi zbuluar që Bregu ishte në planet tuaja të merkatos. Mund të na thoni, cilët janë dy të tjerët?

Nuk mund t’i deklaroj dy të tjerët. Ata futbollistë i dinë pasi unë kam pasur kontakt me ta. Të vetmin që kam deklaruar ka qenë Dejvi Bregu, për arsye se ishte vlonjat, lojtar që më pëlqen shumë. Lojtarë vlonjatë si Dejvi Bregu desha te Flamurtari, që të mbajnë Vlorën, të mbajnë skuadrën dhe jo lojtarë vlonjatë që kërkojnë vetëm të marrin rrogat. Pra, desha një Dejvi Bregu.

Dejvi Bregu

Çfarë i druheni te Luftëtari?

Luftëtari është një skuadër që bazon lojën tek afërsitë individuale të Bregut dhe të Abazajt. Por, pa mohuar vlerat edhe të lojtarëve të tjerë, ka një skuadër solide në mesfushë, si dhe në mbrojtje.

Si vjen Flamurtari në këtë përballje?

Nuk do të ketë ndryshime të shumta në formacion. Janë gjëra të vogla. Formacioni është i stabilizuar. Unë e kam thënë që kemi konkurrencë shumë në skuadër, në të gjitha repartet. Po ashtu janë dy-tre të rinj që më kanë pëlqyer shumë edhe në ndeshjet e kupës me Dinamon. Edhe ata janë lojtarë që janë pjesë aktive e skuadrës. Nuk kemi mungesa. Rikthehet edhe Bicaj pas kartonit të kuq. Mungesa e vetme është Veliu, që nuk mund ta quaj mungesë, pasi bëri një kohë të gjatë që nuk është i gatshëm.

Flamurtari

Pas shumë kritikave, momentalisht, a jeni i kënaqur me sulmin?

Jam shumë i kënaqur nga sulmi. Nuk u kënaqa në ndeshjen me Skënderbeun që nuk u shfrytëzuan ato raste që ishin, por ka kontribut shumë të madh nga pjesa e sulmit. Patjetër se skuadra është diçka tjetër, kontributi i Bushiç dhe Alvesh ka dhënë frytet e veta. Shpresoj që të vazhdohet me këtë ritëm.

Bushiç dhe Danilo Alvesh

Cili është mesazhi juaj për tifozët?

Për tifozët seriozisht e them se, qysh në momentin që kam ardhur unë, nuk mbaj përgjegjësi para se të vija unë, tifozët vlonjatë kanë qenë jashtëzakonisht të afërt me skuadrën dhe e kanë përkrahur në çdo moment. Nuk e vë në dyshim që përkrahja e tyre do të jetë maksimale për skuadrën tonë edhe në takimin me Luftëtarin.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"