Duro do një Laç cinik në Durrës: Me Teutën e vështirë, por jo përcaktuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 14:56

Duro do një Laç cinik në Durrës: Me Teutën e vështirë, por jo përcaktuese

Ndërprerja e kampionatit pas javës së 25-të, për shkak të angazhimit të ekipeve kombëtare, u ka dhënë mundësi skuadrave të Superiores që të rikuperojnë shumë gjëra. Këtë gjë e ka pranuar edhe trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të duelit të javës së 26-të të Superiores me Teutën. Ndonëse pauza u ka vlejtur kurbinasve, trajneri Duro ka katër mungesa të sigurta për transfertën e Durrësit, por shpreson që do ia dalin. Trajneri kryeqytetas e shikon si një sfidë rivalësh direktë për trofe, por jo si vendimtar, Madje Duro pohon se përplasjet e katërshes së parë në këtë javë nuk do ta ndryshojnë shumë situatën në krye. Laçi vjen në këtë ndeshje pas humbjes me Tiranën, ndaj shpresojnë që ndaj Teutës të rikthen te suksesi. Sa i përket shortit të Kupës, Duro pohoi se nuk kishte preferenca, pasi të katërta ekipet i shikon të forta dhe me shanse të barabarta për të triumfuar.

Shpetim Duro

Si kanë qenë për Laçin këto 10 ditë pauze dhe sa ju kanë shkuar për shtat?

Këto 10 ditë ndërprerje të aktivitetit kanë qenë shumë  të rëndësishme jo vetëm për Laçin, por për të gjitha ekipet. Si asnjë herë tjetër, mënyra e organizimit ka qenë ndryshe dhe ngarkesa e ndeshjeve në këtë sezon ka qenë absolutisht shumë e madhe. Ndaj, në këtë aspekt kjo pauzë u ka shërbyer të gjithëve.

Si është situata në skuadër, keni probleme me dëmtimet apo ndonjë mungesë që nuk e kishit parashikuar?

Patjetër që kemi probleme, ku 3-4 lojtarë nuk janë të gatshëm për takimin me Teutën për shkaqe dëmtimesh të lehta. Në mbrojtje na mungojnë Selmani dhe Turkaj, Ramos në mesfushë dhe Nuabueze në sulm. Pra, kemi katër mungesa të sigurta për takimin e sotëm me Teutën.

Luani ndaj një rivali direkt si Teuta në Durrës. Çfarë ndeshjeje prisni?

Patjetër që përpara kemi një ndeshje të rëndësishme. Tani çdo takim ka rëndësinë e tij, por akoma më shumë kur përballe kemi një kundërshtar si Teuta që është rival, është një skuadër që pothuajse gjatë gjithë kampionatit ka qenë në pjesën e sipërme të tabelës. Sigurisht që është një ndeshje e fortë, përballje rivalësh.

Është momenti ku nisin të bëhen llogaritë. Një pikë ndaj Teutës do t’ju kënaqte apo mendoni se Laçi mund të fitojë në Durrës?

Llogaritë? E rëndësishme është që ne shkojmë për të luajtur futboll, të japim maksimumin, pastaj se si del ndeshja ajo nuk është gjithmonë në dorën tonë. Futbolli është gjithmonë i paparashikueshëm, por e thashë që do të jetë një sfidë shumë interesante, duke pasur parasysh atë çfarë kanë treguar dy skuadrat deri më tani në kampionat. Kush do të jetë më efikas, sigurisht që do ta meritojë ta fitojë takimin.

Teuta ka mbrojtjen më të fortë të kampionatit, ndërsa Laçi një sulm të frikshëm. Cila mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë duel?

Unë nuk e shikoj në këtë këndvështrim. Është e vërtetë që Teuta ka mbrojtjen më të mirë sa i përket pësimit të golave dhe Laçi është te dytri sulmet më të mira, por unë nuk e veçoj mbrojtjen me sulmin. Kërkoj nga skuadra që të mbrojnë dhe sulmojnë të gjithë, patjetër që në momente të veçanta ke mundësinë e vlerave dhe cilësia të individëve të spikatur.

Fakti që edhe rivalët e tjerë, Vllaznia e Partizani, luajnë me njëri-tjetrin, mendoni se janë ndeshje që mund të vendosin shumë për ecurinë e dy skuadrave?

Teuta-Laçi dhe VllazniaPartizani janë përballje të katërshes së parë të kampionatit. Janë ndeshje të rëndësishme sa i përket rezultatit, por sido që të jenë rezultatet në këto dy sfida, nuk do të ketë ndonjë shkëputje. Do të jemi përsëri aty në luftë deri në momentet e fundit të sezonit.

Jeni i kënaqur me shortin e Kupës, ku gjysmëfinalen do ta luani ndaj Vllaznisë në Shkodër dhe e a shikoni të arritshme finalen?

I kënaqur? Patjetër që kur shkon në gjysmëfinale dhe nga mënyra e organizimit nuk kisha preferenca. Të gjitha janë skuadra të forta, kështu që u jap shanse të barabarta të katërta skuadrave që vijojnë në Kupë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"