Duro: Dënimi i fushës është bërë diçka monotone, për Bushiçin vendos para ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 9:58

Duro: Dënimi i fushës është bërë diçka monotone, për Bushiçin vendos para ndeshjes

Shpëtim Duro nuk i beson të shkuarës. Edhe pse në fazën e parë Flamurtari i tij ka fituar me Teutën në Durrës, trajneri është me këmbë në tokë në prag të ndeshjes që do të luhet sot në Vlorë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Duro theksoi se asgjë mund të parashikohet në futboll, duke paralajmëruar skuadrën se suksesi në fazën e parë s’duhet të jetë një pikë referimi.

Duro

“Me Teutën kemi fituar, por në futboll çdo ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Kjo është arsyeja që futbolli është i bukur dhe i paparashikueshëm. Në këtë aspekt, them se nuk është pikë referimi fakti që kemi fituar në fazën e parë. Kjo është ndeshje dhe histori tjetër.

Gjatë kësaj jave kemi pasur një periudhë më të gjatë stërvitjeje. Programin stërvitor e kemi fokusuar më shumë drejt rikuperimit të skuadrës se sa ngarkesave. Edhe javën që kaluam kishte shumë ngarkesë, kështu që lojtarët duhet të rikuperonin forcat”, u shpreh fillimisht trajneri Duro.

SITUATA DHE TIFOZËT

Trajneri analizon situatën te Flamurtari përpara ndeshjes me Teutën. Duro është i shqetësuar nga kapiteni Tomislav Bushiç, i cili sot mund të mos jetë i gatshëm për shkak të dëmtimit që pësoi pak ditë më parë në takimin e luajtur në Lushnjë.

“Gjendja e skuadrës është e mirë në të gjitha aspektet. Shqetësim ka qenë vetëm Bushiç. Ai nuk është akoma në 100% të formës, por do të shikojmë deri nesër (sot) gjendjen reale të tij dhe do të vendosim nëse do të aktivizohet ose jo”, theksoi Duro, i cili më tej foli edhe për kundërshtarin.

“Pas një krize në rezultate, Teuta tani është në një situatë të mirë, sepse ka marrë dy fitore radhazi dhe vjen me besim në Vlorë. Por, edhe gjendja jonë në të gjitha aspektet është pozitive. Të dyja skuadrat janë në momente të mira”, ka thënë kreu i pankinës, i cili në fund u shpreh i shqetësuar për faktin se kjo ndeshje do të luhet pa tifozë.

“Dënimi i fushës pa tifozë u bë diçka monotone. Nuk është gjë e mirë, sidomos në këto momente, kur kemi nevojë shumë për tifozët tanë, që të na mbështesin. Por ky është fakt dhe tani duhet ta përballojmë këtë ndeshje edhe pa tifozë. Unë e përkrah idenë e presidentit Idrizi, sepse nuk është mirë kur disa, jo pjesa më e madhe, nuk bëjnë sjellje të mira dhe, në këtë aspekt, dëmtohet vetëm skuadra e tyre e zemrës.

Dënimi pa tifozë edhe nga ana financiare nuk është pozitive. Duhet që të jenë më të kujdesshëm dhe të përkrahet skuadra brenda normave të lejuara”, përfundoi deklaratën e tij trajneri i Flamurtarit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"