Duro: Danilo Alvesh është jashtë forme. Merkato? Të largojmë këta që janë?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2017 | 20:57

Duro: Danilo Alvesh është jashtë forme. Merkato? Të largojmë këta që janë?!

Shpëtim Duro është i kënaqur nga faza përgatitore e ekipit në Mavrovë të Maqedonisë. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri kuqezi flet për fazën përgatitore dyjavore në Maqedoni, por edhe për ekipin, i cili është përgjithësisht i ri, por që po ambientohet.

Shpetim Duro

Për Duron ekipi është në një formë të mirë dhe se lojtarët kanë marrë ngarkesa të plota gjatë përgatitjeve në Mavrovë. Kreu i pankinës vlonjate deklaron se ekipi ka marrë ngarkesa të plota dhe e rëndësishme është që nuk ka patur dëmtime.

“Kemi përfunduar tashmë fazën përgatitore në Mavrovë të Maqedonisë. Kushtet ishin shumë të mira dhe optimale. Ekipi ka marrë ngarkesa të plota dhe kemi zhvilluar stërvitje intensive. Po ashtu lojtarët janë testuar edhe në tri ndeshje miqësore. Jam i kënaqur me këtë fazë përgatitore dhe me reagimin e lojtarëve.

E rëndësishme është që nuk patëm asnjë mbilodhje. Por kemi kohë deri në nisjen e kampionatit më 9 shtator. Ne do të zhvillojmë edhe dy javë të tjera përgatitje në Greqi dhe kjo do të na ndihmojë shumë. Lojtarët mund të them se tani janë mësuar edhe me njëri-tjetrin, duke u ambientuar”, u shpreh fillimisht Duro.

MERKATO

Flamurtari nuk do të afrojë më lojtarë. Aboubacar Ibrahima Toungara është lojtari i fundit që mbyll edhe merkaton vlonjate. Në prononcimin e dhënë për gazetën, Duro tha se te Flamurtari nuk ka më vend për afrimin e lojtarëve të tjerë.

“Merkato? Të largojmë këta që janë? Jo, nuk kemi më nevojë për lojtarë të tjerë. Unë e kam të kompletuar ekipin. I kam marrë lojtarët që më nevojiten dhe nuk kam nevojë të marr të tjerë. Është edhe një i fundit që vjen, lojtari nga Mali, Aboubacar Ibrahima Toungara. Ai do të mbyllë merkaton.

Kam marrë lojtarët e domosdoshëm dhe që them se do të na bëjnë punë. Lojtarët i kam marrë vetë dhe kam bindjen se do të bëjmë mirë. Por të mos flasim para kohe, t’ia lëmë gjithçka fushës së lojës që ta gjykojë”, tha trajneri.

ALVESH

Sulmuesi brazilian Danilo Alvesh, nuk është në formën e tij më të mirë për shkak se Flamurtarit iu bashkua me vonesë në Mavrovë. Trajneri Shpëtim Duro shprehet se është i bindur se Alvesh do të jetë në formën e tij më të mirë në nisjen e kampionatit. “Është e vërtetë që Alvesh nuk është në formën që duhet të jetë për shkak se na është bashkuar me vonesë në fazën përgatitore. Por ka kohë për Alveshin. Në nisjen e kampionatit, unë kam bindjen se ai do të jetë në formën e tij më të mirë”, përfundoi Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"