Duro, apel Kukësit: Nuk dua blof në Gjirokastër, duhen edhe dy blerje për të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 8:21

Duro, apel Kukësit: Nuk dua blof në Gjirokastër, duhen edhe dy blerje për të…

Kukësi mban ven din e parë të tabelës së renditjes së Superiores. Me 31 pikë në 17 javë verilindorët udhëheqin kampionatin, por kur nuk ka kaluar as gjysma e sezonit, trajneri Shpëtim Duro pretendon ta nisë aty ku e la. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet për ndeshjen e radhës kundër Luftëtarit, ekip të cilin e vlerëson shumë. Njëkohësisht ai pohon se ka punuar shumë me skuadrën në aspektin psikologjik, pasi nuk duhet kurrsesi që brenda skuadrës të ketë eufori dhe nënvlerësim. 

shpetim duro

Humbjet e befasishme ndaj Bylisit dhe Vllaznisë në fazën e parë e përndjekin akoma Kukësin, ndaj ato janë mësim për skuadrën që të mos ketë më asnjë nënvlerësim apo eufori. Trajneri ndalet dhe tek aspekti sportiv ku thekson se Kukësi është super në aspektin fizik, pasi periudha stërvitore e minifazës ka bërë të vetën.

Ekipi po kalon një formë mjaft të mirë dhe luani kundër vendit të parafundit. A i druheni euforisë në ekipin tuaj? 

I referohem fazës përgatitore që e kemi bërë shumë të mirë, me kushte të mira. Kemi kondicion fizik të skuadrës shumë të mirë. Jemi gati për fillimin e kampionatit. Patjetër që kemi punuar psikologjikisht me skuadrën, sepse në këtë fazë të kampionatit duhet përqendrim maksimal me çdo kundërshtar. Kemi respekt maksimal për kundërshtarin që luan në fushën e vet, do të japim maksimumin që të arrijmë objektivin në këtë ndeshje. Nuk ka vend për eufori sepse gabimet janë shumë të palejueshme, sidomos në ndeshje të tilla.

shpetim duro

Keni folur me ekipin për çështjen e euforisë, duke qenë se jeni djegur nga neglizhimi në Ballsh dhe nga Vllaznia, ku edhe situatat kanë qenë disi të ngjashme?

Patjetër që do vlerësim maksimal Luftëtari. Jemi mundur me Vllazninë në Elbasan dhe me Bylysin. Paçka se kemi bërë superndeshje, jemi mundur, kështu që e njohim të gjithë situatën dhe duhet vlerësim i madh nga kjo ndeshje.

Mendoni se pas kësaj ndeshjeje mund të shkoni në takimin me Partizanin të shkëputur më tepër nga ndjekësit?

Nuk mendoj për ndeshjen me Partizanin, kemi përpara një takim tjetër dhe mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Të mbyllim njëherë këtë, pastaj të shohim për ndeshjen e radhës.

edis maliqi

Mungesa e Maliqit dhe mospasja e një mbrojtësi tipik të djathtë tjetër, ju dëmton?

Patjetër që Maliqi është një mbrojtës që ka luajtur shumë mirë. Ai ka qenë stabël në formacion dhe është një futbollist që e merr shumë mirë krahun. Është një lojtar shumë i shpejtë, ka pak mangësi sa u përket veprimeve të skuadrës në fazën sulmuese, por janë gjëra që rregullohen. Vuan kartonët, kështu që nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje.

Ende asnjë afrim…

Thamë që skuadra është e kompletuar, por do shohim deri në fund të afrojmë dy lojtarë, zëvendësuesit e Kitanovskit e Dakut.

I druheni garës, mund ta përballoni kampionatin pa të paktën dy alternativa për lojtarët që ju janë larguar (Kitanovski, Daku)?

Do mundohemi t’i zëvendësojmë, por skuadra është gati për ta përballuar kampionatin. Nuk jemi në fillim të kampionatit, jemi në gjysmën e tij dhe unë them se kemi kontingjent që ta përballojmë kampionatin. Por, sërish mendoj se mund ta bëjmë ndonjë afrim.

kukesi

Mund të themi tani që ekipi ka marrë fizionominë e Shpëtim Duros? A keni arritur në një kohë jo të gjatë që skuadra t’ju “dojë” dhe cili është sekreti?

U bë 6 muaj që kam filluar te Kukësi. Koha kalon dhe njihesh më shumë me futbollistët. Ata, duke iu referuar edhe fazës përgatitore, e kanë të qartë se çfarë kërkoj dhe kuptohemi shumë mirë. Në këtë aspekt unë kam besim se lojtarët do të bëjnë atë çka unë u kërkoj. Futbolli është sport sa i bukur, aq dhe i vështirë. Marrëdhëniet e mira janë kushti kryesor për të formuar një ekip të fortë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"