Dunga bëhet “telenovelë”, Kostiç pret kthesën e Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 16:30

Dunga bëhet “telenovelë”, Kostiç pret kthesën e Luftëtarit

Për trajnerin Mlladen Kostiç dhe të tijtë s’ka kohë për të humbur. Ndeshja e radhës me Tiranën mbart për bluzinjtë e Kostiçit një rëndësi të veçantë. Një tjetër rezultat negativ do të thotë shumë për objektivin e gjirokastritëve. Kësisoj, edhe dje Luftëtari ka vijuar përgatitjet në pistën e stadiumit “Gjirokastra”.

Kostic

Në këtë seancë, trajneri Kostiç me ndihmësit e tij nuk ka preferuar lojën me top. Ushtrime me karakter aerobik dhe atletik ka realizuar stafi teknik i bluzinjve. Në duelin e “xhetë” me Tiranën, Luftëtari pritet të jetë i kompletuar në formacion, teksa i rikthehet braziliani Xhekson Ferriera pas skualifikimit. Jo vetëm Xhekson, por dhe afrimi i fundit i Rustem Hoxhës, për trajnerin Kostiç do të thotë më shumë mundësi përzgjedhje në mbrojtje.

Sakaq, dita e nesërme, duket se do t’i jap fund çështjes Dunga. Kostiç me ndihmësin e tij Armir Bonjotiç dhe Jovan Mihajloviç, teksa ndiqte ndeshjet e moshave të Luftëtarit, bën të ditur se sulmuesi Ismael Dunga do bëhet pjesë e grupit të martën në mbrëmje. Dunga do të ishte një “armë” e fortë në duart e trajnerit Kostiç në vijën sulmuese, referuar dhe numrave të limituar të lojtarëve sulmues.

kostic tavo

Vasil Shkurtaj dhe Romario Cekaj janë dy sulmuesit e deklaruar të gjirokastritëve, pasi Dhimitër Andoni është huazuar te skuadra e Paramithis në kampionatin grek. Vladan Milosavljev, Balsa Radoviç, Maldin Ymeraj dhe Aldrit Oshafi janë aktivizuar në tri përballjet e luajtura si mesfushorë me tipare sulmuese nga trajneri Kostiç, por pa mundur të “lënë” gjurmë.

Një gol ka realizuar Luftëtari në tri javët e para me autor Vasil Shkurtajn, çka do të thotë se skuadra gjirokastrite vuan para portave kundërshtare. Gjirokastritët krahas përgatitjeve për ndeshjen me Tiranën, nuk do të lënë në harresë edhe përgatitjet për ndeshjen e Kupës. Të mërkurën gjirokastritët do të luajnë takimin e parë me Vorën, të vlefshëm për turin e parë paraeliminator.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"