Duka prezent, Bushi e Prenga në vëzhgim të talenteve fierake. Ja pikantet e sfidës Apolonia-Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2020 | 20:42

Duka prezent, Bushi e Prenga në vëzhgim të talenteve fierake. Ja pikantet e sfidës Apolonia-Kukësi

Në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, u përballën dy skuadra të cilat edhe një vit më parë u vunë përballë njëratjetrës në këtë kompeticion. “Panorama Sport” sjell momentet pikante dhe çfarë nuk u pa në TV në këtë ndeshje ku nuk ka munguar edhe vëzhgimi i talenteve të reja të vlefshme për Kombëtaren U-21 apo edhe për në tregun kroat.

Apolonia-Kukesi 1-2

* Ndeshjen e ka ndjekur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares U21, Alban Bushi, si dhe ishtrajneri i Laçit, tashmë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit si skaut, Besnik Prenga, i cili me sa duket, ka vëzhguar të rinjtë e Apolonisë, prej nga ka pasur shkëlqimin e parë edhe Myrto Uzuni. Në “shënjestër” me gjasë kanë qenë emra si Harizaj, Sota, Zaimaj dhe Gjata. Gjithashtu, i pranishëm ka qenë edhe presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ndërsa ka munguar Safet Gjici.

* Kuper, Ejoh dhe Lulaj nuk kanë shënuar asnjë gol në këtë kampionat. Për ganezin e Kukësit është goli i tretë që realizon në Kupë, ndërsa Ejoh dhe Lulaj e kanë “sefte” edhe në këtë kompeticion.

* Trajneri Shehi ka luajtur për herë të parë si kundërshtar në Fier dhe ka dalë fitues.

*Këto dy skuadra janë ndeshur edhe sezonin e kaluar për fazën e 1/16-ave të Kupës me njëra-tjetrën, ku kanë fituar fierakët 2-1, ndërsa këtë herë Kukësi ka marrë revansh.

Apolonia-Kukesi

* Masa të rrepta të sigurisë shëndetësore nga klubi fierak, të respektuara gjatë gjithë ndeshjes. Por, jo në fushë, teksa nuk kanë munguar shtrëngimet e duarve dhe përqafimet e lojtarëve.

* Trajneri Shehi i ka kryer të pesta zëvendësimet që kishte në dispozicion. Një prej tyre që në start të së dytës duke lënë në dhoma autorin e golit për Shkurtajn si dhe një tjetër i detyruar pasi Obanor doli i dëmtuar në gju në minutën e 61-të. Artan Mërgjyshi bëri vetëm 3 zëvendësime, madje dy prej tyre në 10 minutat e fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"