Duka mesazhe të koduara Panuçit, mbështetja ishte një… paralajmërim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2018 | 22:54

Duka mesazhe të koduara Panuçit, mbështetja ishte një… paralajmërim

Armand Duka ka mbajtur qëndrim publik për situatën në Kombëtare dhe mbi të gjitha për kritikat e pafundme në adresë të trajnerit Kristian Panuçi. Në pamje të parë deklarata është mbështetëse ndaj njeriut që e ka zgjedhur po vetë në krye të stolit kuqezi. Duka bën thirrje për qetësi dhe për t’i lënë kohë trajnerit. Po, pra pikërisht kohë… Dhe është ky element i përmendur mes rreshtave që të bën ta shohësh deklaratën e presidentit të FSHF-së edhe nga një këndvështrim tjetër: të mbështes, por me kushte.

Duka dhe Panuci

Pse mund të thuhet kjo? Sepse deklarata e djeshme e Dukës përkthehet edhe si një “afat” i ri që ai është duke i vendosur trajnerit. Mes rreshtave, jo pa qëllim, Duka i përmend “defektet” Panuçit dhe kërkon nga të gjithë që t’i jepet “kohë”, ndërkohë që kohën në krye të stolit kuqezi ia jep dhe ia heq vetëm ai. Ndoshta, nëpërmjet kësaj deklarate, Duka po i lëshon mesazhe të qarta trajnerit se duhet të punojë i qetë këto dy ndeshje, pasi askush nuk do ta shkarkojë. Me këtë rast, kreu i FSHF-së ndoshta po “lan duart” para publikut për të thënë se “unë e mbështeta atëherë kur të gjithë e sulmonin…”. Më pas? Nuk i dihet…

Nëse merr rezultate të mira në ndeshjet e tetorit dhe të nëntorit, Panuçi mund ta vazhdojë punën, në të kundërt, Duka mund ta shkarkojë dhe mund të ndihet i qetë, sepse procedurën formale, atë të mbështetjes publike para shkarkimit e ka bërë… Më poshtë është reagimi i plotë i kreut të FSHF-së në lidhje me situatën aktuale të Kombëtares dhe trajnerit të saj.

POSTIMI I PLOTË

Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi bërë dy ndeshjet e para. Kemi marrë tri pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi pasur mundësitë tona atë mbrëmje që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet tona që jam i bindur që trajneri i ka tashmë pikë referimi. Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin.

Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër. Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por, kur këto bëhen për interesa josportive, nuk i shërbejnë askujt. Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik, por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"