Duka konfirmon akordin e vendosur mes tij dhe De Biazit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2016 | 12:06

Duka konfirmon akordin e vendosur mes tij dhe De Biazit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka treguar në një intervistë për televizionin italian “Sky” se si është situata aktuale me trajnerin Xhani De Biazi dhe cilat janë planet pas përfundimit të Europianit. Duka ka bërë të qartë se ka një akord mes palëve për sa i përket kohëzgjatjes së aktivitetit, ndërsa çdo opsion që dilte do të trajtohej pas aventurës franceze.

duka-debiasi-800x445

“Para Europianit, kemi rënë dakord që gjatë turneut nuk duhej të mendonim apo të flisnim për të ardhmen. Po luhet një Europian shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Trajnerit i kam thënë që në fillim se nëse i arrin një ofertë tërheqëse për karrierën e tij, ne do ta linim të lirë”.

Duke folur për ndeshjen e nesërme me Francën, numri 1 i futbollit shqiptar sqaroi se rezultati përfundimtar nuk do të ndikonte gjithsesi në opinionin e përgjithshëm për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

“Për ne, ndeshja me Francën do të jetë e rëndësishme. Kemi humbur në debutim ndaj Zvicrës dhe tani do të japim gjithçka kundër Francës. Ky është një kundërshtar shumë i fortë, por shpresojmë të paraqitemi mirë. Shpresoj që skuadra jonë ta ketë kuptuar që nuk kemi çfarë të humbasim. Nëse do të arrijmë një rezultat pozitiv është mirë, por nëse nuk kalojmë, do të jemi të lumtur gjithsesi, pasi kemi marrë pjesë në këtë kompeticion”.

Në fund, Duka nuk ka dyshime kur i përgjigjet pyetjes nëse kjo është Shqipëria më e fortë e të gjitha kohëve. “Kjo është skuadra më e fortë, pasi asnjëherë më parë nuk kemi arritur një rezultat të tillë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"