Duka dorëzohet për “Superkupën e Europës”: Të tjerët i kanë stadiumet gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2017 | 14:03

Duka dorëzohet për “Superkupën e Europës”: Të tjerët i kanë stadiumet gati

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka inspektuar dje nga afër punimet në impiantin ku po punohet për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar. Kreu i institucionit të futbollit, pasi ka parë pjesën e parkingut nëntokësor, si dhe punimet e deritanishme, ka dhënë edhe një deklaratë për mediat, ku ka pranuar se është e vështirë që të arrihet konkretizimi për finalen e Superkupës së Europës. Ja deklarata e tij për mediat:

Armand Duka stadiumi

INSPEKTIMI

“Jemi këtu për t’i parë nga afër punimet dhe për të diskutuar disa ndryshime të domosdoshme që ky stadium të jetë sa më i pranueshëm për ndeshje ndërkombëtare. Të jetë sa më i pranueshëm për atë që ne kemi si objektiv, për të zhvilluar finale e Superkupës në vitin 2019 dhe të jetë një stadium që të jetë jo vetëm sportiv, por t’i japë pamje dhe bukuri kësaj zone. Jam shumë i bindur që në afatet e përcaktuara në kontratë me kompaninë ‘Albstar’ do ta përfundojmë brenda afateve. Shpresoj të jetë gati për finalen. Me kërkesë të UEFA-s do të ndryshojmë ndriçimin. Do të vendoset një sistem LED, që të jep mundësinë e një SHOW me drita para ose gjatë ndeshjeve. Për ta krahasuar, është një sistem si ai që është ndërtuar në ‘Juventus Stadium'”.

duka kantieri

FINALJA E SUPERKUPËS

“Realisht është një ndërmarrje e vështirë, një iniciativë e vështirë nga ne, sepse ne konkurrojmë me projekt, ndërsa të tjerët konkurrojnë me stadiume të gatshme. Janë 9 stadiume që kanë aplikuar dhe do mundohemi t’i bindim për finalen që do të arrijmë ta përfundojmë në kohë. Do të mundohemi të plotësojmë të gjitha kërkesat që ka aplikimi për ta fituar të drejtën e organizimit të finales”.

ZYRAT NË STADIUM

“Në stadium është parashikuar që të ketë zyra për menaxhimin e stadiumit. Do të jenë të kësaj kompanie, e cila është një kompani më vete e federatës së futbollit me aksioner edhe shtetin”.

DREJTORI I SHOQËRISË “KUQ E ZI”

“Prodani nuk është më drejtor i kësaj shoqërie prej disa kohësh”, ka deklaruar Armand Duka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"