Duka dhe klubet nuk duhet të lejojnë askënd që të tallet me dinjitetin e futbollit kombëtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2021 | 20:46

Duka dhe klubet nuk duhet të lejojnë askënd që të tallet me dinjitetin e futbollit kombëtar

NGA ARSEN HOXHA

ARSEN HOXHA

Nuk them FSHF-ja, por Armand Duka, sepse faktet e shumta kanë treguar se ai është personi i vetëm që gëzon pushtet absolut për të bërë punë të mira apo dhe jo. Të tjerët, në shumë raste, janë si kukulla që pak guxim kanë, që në mënyrë të pavarur t’i dalin zot punës së tyre dhe me kurajë të ndërmarrin veprime të guximshme ndaj kujtdo që cenon punën e institucionit të FSHF-së, qofshin këto edhe kompani sigurimi të kontraktuara për mbarëvajtjen e ndeshjes.

Kemi parë se në mjaft ndeshje ndërkombëtare, masat shumë të mira të organizimit nga ana e FSHF-së në aspektet e tjera shkatërrohen thjesht nga nënvlerësimi i një faktori tepër të rëndësishëm. Pikërisht nga ai që ka të bëjë me përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive për mbarëvajtjen e ndeshjes. Gjatë kohës që punova në FSHF, por edhe nga ato që shikojmë në vazhdimësi, nuk kemi dëgjuar të ketë një person të ngarkuar direkt me këtë problem. Për pasojë, asnjëherë nuk kanë munguar sjelljet e gabuara të spektatorëve, hedhjet e sendeve në fushat e lojës si dhe dëmtimet e mjediseve dhe të pajisjeve sportive.

Mendoj se ka qenë një ndeshje me Francën, ku mua më caktuan në rolin e shoqëruesit me delegatin e UEFA-s. Një orë para fillimit të ndeshjes, ai kërkoi që të shkonim dhe të shikonim se si ishte i organizuar kontrolli fizik i sportdashësve që do të hynin në stadium. Ai mbeti i befasuar kur pa se, me përjashtim të biletës ndaj tyre, nuk kishte asnjë kontroll tjetër për sendet e ndaluara që ata mund të kishin me vete. “Këtu nuk qenka problem, edhe armë mund të fusësh”, më tha ai. Për t’u justifikuar, unë i thashë se ai kontroll bëhet në disa pika përpara se ata të afrohen te portat e hyrjes. Ai kërkoi që t’i shikonte ato vende, por unë i turpëruar i thashë se nuk ishte nevoja, pasi edhe atje do të shikonim afërsisht të njëjtën situatë. Me sa duket, ai e kuptoi sikletin tim dhe u kthyem te tribuna qendrore.

Në atë ndeshje, si dhe në shumë të tjera, u hodhën mjaft sende në fushë dhe në mënyrë të veçantë flakadanë. Ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe FSHF u dënua nga UEFA me një gjobë 40 apo 50 mijë euro, që nuk më kujtohet saktësisht. Afërsisht e njëjta situatë ndodhi edhe me Poloninë apo edhe në ndeshjen Tirana-Partizani të javës së fundit. Përveç gjobave, Partizani u ndëshkua që disa javë të luajë pa tifozët e tij. Tirana mori gjobat e merituara. Për të gjithë është e qartë se personat që kryejnë këto akte vandale, janë vetëm ajo pjesë injorante e shoqërisë që kanë zbritur në rrugët e qytetërimit, pa u mësuar mirë me rregullat e saj. Pyetja që shtrohet është se a do të lejohet edhe më tej që futbolli të mbetet peng i tyre.

A do të arrijë FSHF-ja që në ndeshjet ndërkombëtare dhe klubet futbollistike në aktivitet kombëtare t’u tregojnë vendin e merituar këtyre vandalëve? Mendoj se ka dy rrugë. Së pari: – Kontratat me shoqëritë e sigurimit që marrin përsipër plotësimin e detyrimeve, duhet të jenë të qarta dhe rigorozisht të zbatueshme. Nëse ato e kanë si detyrim që të ushtrojnë një kontroll të imët mbi tifozët, që në stadium të mos fusin asnjë send të ndaluar dhe dështojnë në këtë mision, qoftë edhe sikur dy shishe plastike apo dhe një flakadan i vetëm të hidhet në fushë, apo të ndizet në tribunat ku sportdashësit janë të vendosur, shpërblimi i tyre do të jetë ZERO lekë.

Unë e di se vetë z. Duka apo presidentët e klubeve nuk mund të merren vetë direkt me të, por një urdhër i prerë financierëve përkatës, të mos u paguajnë as edhe një qindarkë kompanive të sigurimit, kur ato dështojnë në detyrimet e tyre, duhet t’ua japin. Se dyti: – Pajisja me kamera dhe evidentimi i rasteve të shkeljeve, sipas ligjeve të vendosura kohët e fundit, të ndiqet dhe të çohet deri në nxjerrjen para organeve të drejtësisë, por edhe kjo veçanërisht në ndeshjet ndërkombëtare duhet të jetë detyrë funksionale e njërit prej punonjësve të FSHF-së, që z. Duka duhet të caktojë. Me gjithë ato ngjarje që ndodhën me Poloninë, nuk kemi dëgjuar asnjë masë të marrë dhe asnjë emër të vënë para përgjegjësisë penale. Ka ardhur koha që z. Duka si president i FSHF-së dhe presidentët e klubeve të mos lejojnë më askënd të tallet me investimet e tyre dhe me turpërimin në arenën botërore të futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"