“Duhet të ndryshojmë mentalitetin si ekip, rikthimi te Maqedonia e Veriut më motivon”, Ibraimi: Ja çfarë i thashë arbitrit te rasti i penalltisë në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 22:58

“Duhet të ndryshojmë mentalitetin si ekip, rikthimi te Maqedonia e Veriut më motivon”, Ibraimi: Ja çfarë i thashë arbitrit te rasti i penalltisë në Ballsh

Kukësi ka pasur një ecuri jo të mirë gjatë këtij sezoni. Në fakt nëse nuk do të arrihet pjesëmarrja në Europë do të jetë katastrofë për verilindorët. Gjithsesi, te Kukësi besojnë dhe do të luftojnë deri në fund për ta arritur Europën. Është kapiteni i Kukësit, Agim Ibraimi, i cili në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport” flet për rezultatet e fundit të skuadrës, penalltitë e padhëna, arbitrimin e në përgjithësi për situatën e nënkampionëve. Ibraimi shprehet se dhe arbitrat gabojnë, por ashtu siç ekipet analizojnë gabimet e tyre edhe gjyqtarët duhet të bëjnë analizë e të përmirësohen. Sulmuesi 32-vjeçar është grumbulluar me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut dhe për këtë ndiehet i kënaqur dhe thekson se do të bëjë maksimumin.

Agim Ibraimi

Humbët në Ballsh, çfarë nuk shkoi këtë herë dhe a mund të themi se pati ndikim në rezultat penalltia e padhënë në fund?

Nuk e di çfarë të them, ishte lojë e mirë, kishim shanset nuk shënuam. Po kalojmë një periudhë të pakënaqshme, ndaj duhet të ndryshojmë mentalitet si ekip.

Si kapiten, çfarë i thatë arbitrit kur nuk akordoi penallti?

I thashë se janë situata të tepërta këto. Po normal njerëz jemi, kështu që gabojnë edhe ata.

Kukësi nuk ka qenë asnjëherë jashtë Europës në këto 9 vitet e fundit. Sa shanse keni tani që mos të quhet sezoni i dështuar?

Shikoni, derisa matematika na lejon, do të besojmë deri në fund. Ne nuk i kemi humbur shpresat, do të punojmë fort deri në sekondën e fundit për të arritur objektivin. Unë gjykoj që kemi qenë dhe pa fat, pasi ekipi nuk pasqyron rezultatin. Kemi lojtarë cilësorë dhe me kualitet, por ky ngërç dhe ndodhitë e njëpasnjëshme, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me punën e skuadrës në fushë, na kanë dëmtuar. Gjithsesi, të shikojmë deri në fund. Ne do të luftojmë deri në pikën e fundit. Shpresoj të arrijmë të bëjmë më të mirën.

Fakti që në këtë moment të kampionatit ka pasur shumë gabime të gjyqtarëve, jo vetëm ndaj Kukësit, ju bën përshtypje?

Ashtu siç i analizojmë ne futbollistët humbjet apo lojërat e mira, mendoj se edhe ato duhet të kenë më shumë fokus në gabimet që bëjnë, në mënyrë që të përmirësohen.

Cila mendoni se e fiton titullin kampion këtë sezon në Superiore, meqë Kukësi është thuajse jashtë gare?

Janë në garë tri-katër ekipe. Nuk e di, por është kampionat i hapur.

Kur skadon kontrata juaj me Kukësin dhe a keni menduar për të ardhmen?

Kontrata më skadon në fund të sezonit. Të them të vërtetën ende se kam menduar. Shohim në fund të kampionatit.

Jeni thirrur nga Maqedonia e Veriut, rikthimi juaj në kombëtare sa ju motivon?

Kam bërë 40 ndeshje me kombëtaren e Maqedonisë, edhe rikthimi është motiv për mua. Jam maksimalisht i përgatitur.

Besoni se mund të jeni edhe në Europian me kombëtaren?

Nuk e di, të shohim.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"