“Duhet të mësohemi me fitoret në shtëpi”, Lika: Ndaj Flamurtarit vetëm për trepikëshin, test real për blerjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 9:12

“Duhet të mësohemi me fitoret në shtëpi”, Lika: Ndaj Flamurtarit vetëm për trepikëshin, test real për blerjet

Vllaznia luan vetëm e vetëm për fitore ndaj Flamurtarit. Edhe pse kundërshtari vjen me 1001 probleme në Shkodër, askush nuk i beson krizës vlonjate. I këtij mendimi është edhe kapiteni Gilman Lika, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” paralajmëron lojtarët që ta vlerësojnë maksimalisht këtë 90-minutësh.vllaznia arbitri ziri

Në “Loro Boriçi” nuk festojnë prej 4 muajsh, por mesfushori është i bindur që kjo histori do të ndryshojë që nga sot. Vlerëson formën dhe paraqitjen në stërvitje të tri afrimeve të reja nga kjo merkato, ndonëse kujton se testi i vërtetë për ta do të jetë fusha. I pyetur nga gazeta për historinë e rrogave të padhëna dhe ankesën e lojtarëve, 33-vjeçari nuk ka dashur që të japë asnjë koment.

Gilman, sa ju shërbeu minifaza përgatitore?

Kemi bërë një fazë përgatitorë tejet të mirë, e cila do të na vlejë shumë për këtë pjesë të dytë të sezonit. Pavarësisht se ishin pak ditë, na ka ndihmuar ndjeshëm.

A jeni gati për ta rinisur kampionatin?

Vllaznia është përgatitur në maksimumin e vet për rifillim e kampionatit, ndaj mund të them se jemi gati që ta nisim me këmbë të mbarë përballë Flamurtarit. Djemtë janë me gjendje të mirë dhe më e rëndësishmja, ato pak dëmtime janë të rikuperueshme.

Vllaznia ka bërë tri afrime. Sa të vlefshme do të jenë për skuadrën?

Janë afruar, siç dihet, tre lojtarë, një mbrojtës dhe dy sulmues. Gjatë kësaj periudhe kanë treguar se mund ta ndihmojnë skuadrën dhe shpresoj që këtë ta bëjnë edhe në ndeshjet zyrtare, sepse ato janë testi real.gilman lika

Është rritur edhe konkurrenca në ekip?

Patjetër që po dhe kjo është në favor të ekipit. Konkurrenca të bën gjithnjë mirë.

Me merkaton nuk janë mbyllur ende llogaritë, pasi klubi po tenton edhe për dy blerje. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, a mund të rrisë pretendimet edhe Vllaznia?

Jemi të përgatitur për ta përballuar pjesën e mbetur në të gjitha format, edhe me këta lojtarë që janë aktualisht në ekip. Jam optimist, mendoj se do të shfaqim nivel më të lartë se në 17 javët e para.

Përballeni me Flamurtarin që ka 1001 probleme në nisje të 2020-ës. Mund të quhet që tani e kalueshme si ndeshje?

Unë e shikoj ndeshje shumë të vështirë. Mos e harroni ndeshjen me Gjirokastrën në Shkodër. Këto përballje që të duken të lehta në letër, po nuk u dhe vlerësimin e duhur, kthehen në më të vështirat.

Vllaznia nuk fiton në Shkodër prej tre muajsh. A do të ndryshojë historia në këtë vit të ri?

Sigurisht që objektivi i vetëm është fitorja, por në të njëjtën kohë kërkoj prej të gjithëve vlerësimin maksimal. Duhet të fillojmë të mësohemi me fitoret në Shkodër.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"