“Duhet të luajmë me mentalitetin e duhur”, Mehmeti bën apel: Vendosin episodet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2023 | 10:10

“Duhet të luajmë me mentalitetin e duhur”, Mehmeti bën apel: Vendosin episodet

Java e 22-të e Kategorisë së Parë rezervon një transfertë të vështirë për Dinamon, atë me Turinën në Cërrik të dielën, ora 15:00. Kundërshtari kërkon pikë mbijetese, por edhe blutë kanë nevojë për fitore, sepse luftojnë për një objektiv madhor, siç është Superiorja. 

dritan mehmeti

Mesfushori sllovak, David Ivan, nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë, edhe pse shpresat që ai do të ishte në fushë ishin të mëdha. Rikthehet Sabien Lilaj, ndërsa ka edhe një dilemë për Silvio Vokrrin në këtë ndeshje delikate.

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka thënë dje për “Panorama Sport” se ndeshje si kjo me Turbinën kërkojnë kujdes maksimal, sepse vendosin episodet.

“Patjetër që është një ndeshje e rëndësishme për ne, shumë e vështirë. Kemi punuar shumë me skuadrën në çdo aspekt, pasi kundërshtari ka vlerat e veta dhe në fushën e tij do të kërkojë të marrë pikët maksimale. Është nga ato ndeshje ku vendosin goditjet standarde, ndaj dhe duhet të bëjmë shumë kujdes. Duhet të kemi përqendrimin dhe mentalitetin e duhur për ta përballuar me sukses këtë ndeshje. Dinamo mban vendin e dytë dhe gjithçka e ka arritur me forcat e veta, me meritë të plotë. Ne besojmë te forca e kësaj skuadre dhe te ngjitja në Superiore”, ka thënë fillimisht trajneri i bluve.

SFIDA E VLORËS – I pyetur sa ndikim mund të ketë ndeshja mes Flamurtarit dhe Skënderbeut, Mehmeti deklaroi:

“Mendoj se fakti që kjo ndeshje luhet një ditë më parë, nuk na favorizon. Gjithçka varet nga mënyra si e perceptojnë futbollistët, por ajo që unë dua të theksoj ka të bëjë me faktin se ata duhet ta ngulitin mirë në mendje se çdo gjë varet nga këmbët tona. Dinamo duhet të fitojë ndeshjet e saj pa parë se çfarë bëjnë rivalët. Rëndësi ka që të hyjmë në fushë me mendësinë e duhur, pastaj janë strategjitë e lojës që vendosin ndeshjen. Ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka mirë, me sa më pak gabime, për të marrë pikët që do të çojnë në Superiore”.

Ndërkohë, Mehmeti ka edhe një seancë të fundit për të punuar me të tijtë para ndeshjes me Turbinën, një nga tri transfertat e mbetura të Dinamos këtë kampionat.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"