“Duhet të kishim më shumë pikë në këtë kampionat”, Vila: Teuta meriton më shumë, gati të mundim Kukësin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 12:57

“Duhet të kishim më shumë pikë në këtë kampionat”, Vila: Teuta meriton më shumë, gati të mundim Kukësin!

Teuta arriti të fundoste Dinamon pas fitores ndaj saj 0-1 në Elbasan. Kapiteni Emiliano Vila është një nga pikat kyçe të mesfushës. Ai ka hyrë në brendësi të ekipit dhe është bërë një pikë referimi për trajnerin Arapi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Vila ka folur rreth fitores ndaj Dinamos, por edhe për supersfidën me Kukësin, që për mesfushorin është një ndeshje që kërkon vëmendje dhe përqendrim.

Vila

Sa i kënaqur jeni me lojën dhe rezultatin ndaj Dinamos?

Patjetër që jam i kënaqur me lojën. Fituam tri pikë, çunat meritojnë të gjithë shumë komplimente për ndeshjen e luftuar. Kundërshtari ka një ekip të mirë dhe ishte një fitore e vështirë. Nuk ka mbaruar asgjë akoma. Kemi gjashtë ndeshje finale deri në fund për t’i zhvilluar.

Një javë kohë për t’u përgatitur për Kukësin, a jeni gati për një ndeshje të vështirë?

Normalisht është një ndeshje e vështirë, por duke marrë shkas nga fitorja që kemi bërë ndaj Dinamos, na ka dhënë një tjetër moral dhe mendojë që e kemi kaluar atë ngërç psikologjik.

Si e parashikoni ndeshjen ndaj Kukësit?

Do të jetë pa dyshim ndeshje e fortë. Kukësi është një ekip i mirë në kampionatin shqiptar. Të gjitha ekipet janë aty-aty, edhe ato që janë në vendin e fundit. Nëse ne do të futemi në fushë dhe do të luajmë siç kemi luajtur me përqendrim, thjeshtësi dhe dublim, nuk besoj se do të kemi shumë problem. Duhet të shohim veten tonë, nuk duhet të merremi me kundërshtarët.

Kukësi vjen nga një moment jo i mirë. Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Shiko, në të tilla ndeshje nuk ka favoritë, por duke nisur nga gjendja ku jemi, por edhe nga entuziazmi që mbizotëron në Durrës këtë periudhë unë mendoj se ekipi do të bëjë maksimumin që të dalë me fitore ndaj Kukësit. Këto ndeshje nisin si të barabartë, pavarësisht pikëve apo renditjes kështu që duhet të jemi të supermotivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka. Nuk është nevoja për motivim, ne jemi të vetëmotivuar për këtë takim.

Sa pikë më tepër mendoni se mund të kishit pas shume oshilacioneve dhe cila është ndeshja që ju ka mbetur në mendje për mënyrën si kanë shkuar gjërat?

Me atë që kemi dhënë në fushën e lojës, mendoj se duhet të kishim më shumë pikë, por për shumë faktorë këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje peng, por ato ndeshje që nuk fiton të mbeten pishman dhe duhet të kishim bërë më mirë.

Kë shikoni rival deri në fund të garë?

Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë. Kjo e premte rezervon ndeshjen e vështirë me Kukësin. Ne kemi ditë që jemi përgatitur për këtë ndeshje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"