“Duhet të kishim bërë goleadë, por na pengoi kryesori”, presidenti i Besëlidhjes “shfryn” për arbitrimin: Gjykim tendencioz, FSHF të marrë masa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 9:13

“Duhet të kishim bërë goleadë, por na pengoi kryesori”, presidenti i Besëlidhjes “shfryn” për arbitrimin: Gjykim tendencioz, FSHF të marrë masa

Besëlidhja e ka me gjykimin. Edhe pse fitoi 2-3 me Maliqin në transfertë, kanë ankesa. Është Gjok Noka që reklamon vendimet e kryesorit Sokol Bebja. Një ditë pasi është luajtur ndeshja dhe është më i qetë, presidenti rrëfen për “Panorama Sport” problematikën që hasi në këtë transfertë. Ai është dukshëm i irrituar dhe hapur thotë që po i shkatërrojnë investimet, pasi vazhdimisht po penalizohen. Skuadra mori fitoren e 4-t radhazi, e megjithatë rrezikoi jo pak. Gjithçka po mbyllej në shifrat 2-2, por mendoi Redon Danaj që të shënonte në të 93-ën minutë e të sillte qetësinë.

Noka

“Ndeshjen ndaj Maliqit duhet ta kishim fituar me goleadë, duke iu referuar volumit të lojës dhe rasteve që krijuam. Por, gjykimi na ndali. Gjyqtari Sokol Bebja na pengoi aq shumë, sa rrezikonim edhe të mos merrnim asnjë pikë nga kjo transfertë.

Shumicën e aksioneve na i ndali dhe nuk na lejoi t’i finalizonim”, tha fillimisht numri një i klubit lezhjan. Ka një apel edhe për FSHF-në, ndaj pret që të merren masa serioze ndaj arbitrave që veprojnë në këtë formë.

“Gjykimi tendencioz ndaj Besëlidhjes po bëhet rrugë, ndaj kërkoj që të merren masa serioze për gjyqtarë të tillë. Aty ku ndeshjet transmetoheshin në TV, gjyqtarët tregoheshin të kujdesshëm, ndërsa kur ka terr informativ e shfrytëzojnë si hajdutë në favor të tyre. Po e përsëris, gjykimi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rezultat, kjo është e pafalshme.

Gjykime të tilla po na shkatërrojnë financiarisht. Duke e parë ekipin që po ecën para, edhe me 14 lojtarë kundër 11 që jemi ne, jam i bindur se do të ecim me hapa të shpejtë drejt kreut”, përfundoi Noka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"