“Duhet të justifikojmë investimin, kemi mungesë pikësh”, Canka: Nisi kthesa, s’ndalem më me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 11:01

“Duhet të justifikojmë investimin, kemi mungesë pikësh”, Canka: Nisi kthesa, s’ndalem më me gola

Besa u kthye dhe në Kavajë dukshëm janë më të lehtësuar. Këtë e thotë edhe Mikel Canka, protagonist i padiskutueshëm në fitoren kundër Lushnjës. E megjithatë, paralajmëron se nuk kanë bërë asgjë dhe do t’u duhet shumë më shumë punë për të përligjur investimin e presidencës. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi skanon ecurinë e ekipit në këto 5 javë, gabimet e bëra dhe pritshmëritë.

mikel canka

Sa lehtësuese ishte fitorja kundër Lushnjës?

Bëmë vetëm detyrën pas asaj humbjeje në Burrel, asgjë më shumë. Të gjithë prisnin fitore dhe ia dolëm. Zhvilluam një ndeshje të bukur, luajtëm më mirë se Lushnja dhe i merituam pikët.

Si ka ndikuar ardhja e trajnerit të ri në krye të Besës?

Ne jemi lojtarë profesionistë që paguhemi dhe si të tillë japim maksimumin në fushë, kushdo qoftë trajneri.

Si golashënues me 3 gola, sa është i kënaqur vetë Canka?

Kushdo ndihet mirë kur shënon dhe jo më një sulmues. Gjykoj se kam bërë mirë, por nuk do të ndalem me kaq. Shpresoj që të shënoj më shumë në javët e ardhshme.

Pse nuk festuat?

Në respekt të atyre ultrasve lushnjarë që më kanë përkrahur, mbështetur e brohoritur dhjetëra herë emrin tim. Ata meritojnë gjithë mirënjohjen time sot e përgjithmonë, por unë jam lojtar profesionist dhe ata më mirëkuptuan.

A keni pasur ngacmime dashamirëse pas takimit?

Ju e dini që jetoj në Lushnjë e pas kthimit në qytet pati dhe shokë miq që me shaka më thanë: “Përse na bëre gol…”. Ishin më shumë ngacmime, pasi nuk është hera e parë që u shënoj si kundërshtar.

Sa larg mund të shkojë Besa këtë sezon?

Të fitosh 1 apo 2 ndeshje është shumë pak për të përligjur investimin që është bërë te Besa. Megjithatë, fitorja me Lushnjën shënoi kthimin e madh tonin. Tani na mbetet për detyrë që të kemi vazhdimësi. Dhe që të ndodhë kjo, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nisur nga lojërat që kemi zhvilluar, gjykoj se duhet të kishim më shumë pikë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"