“Duhet të fitonim me Korabin”, Dede: Kemi dëmtime në mbrojtje, në Berat shkojmë për maksimumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2021 | 11:34

“Duhet të fitonim me Korabin”, Dede: Kemi dëmtime në mbrojtje, në Berat shkojmë për maksimumin

Pushimi ka ardhur si me porosi për Erzenin. Ndërprerja është shfrytëzuar për të ndërhyrë në stadiumin “Tofik Jashari”, por edhe për… dëmtimet. Janë disa lojtarë që kanë shfaqur probleme muskulore dhe me këtë ndalesë, kanë shansin që të rikuperohen. Është vetë Nevil Dede që e pohon këtë fakt, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Trajneri analizon punën e bërë gjatë këtyre ditëve dhe ecurinë e deritanishme, por ndalet edhe te Tomori, kundërshtari i javës së 9-të. Luajnë në transfertë e përballë një rivali direkt dhe vetëm fitorja mund t’i mbajë në vendin e dytë.

nevil dede 1

“Na ka shërbyer së tepërmi ndërprerja e kampionatit. Jemi stërvitur si zakonisht në Pezë-Helmës, por me ritëm më të lartë. Sikundër edhe dihet, klubi ka mbjellë barin e stadiumit ‘Tofik Jashari’, ndaj është bërë edhe kjo zgjedhje. Së shpejti impianti do të jetë gati dhe në gjendje optimale”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës së shijakasve. I pyetur për mobilizimin e futbollistëve gjatë këtyre ditëve, tekniku i njohur tiranas, Nevil Dede, thotë:

“Jam mjaft i kënaqur nga mobilizimi i futbollistëve në seancat stërvitore. Ndalesa na vlejti edhe për dëmtimet. Disa futbollistë, dhe sidomos ata të repartit të mbrojtjes, kanë shfaqur shqetësime të vogla muskulore. Kemi edhe një javë kohë, ndaj besoj se në ditët e ardhshme do të rikuperohen dhe jenë të gatshëm për transfertën beratase.

Luajmë përballë një rivali direkt dhe angazhimi për Tomorin është maksimal. Do të zbresim në fushë me të njëjtin mision si në çdo ndeshje: të marrim pikët e plota”, shtoi tekniku tiranas. Ai u ndal edhe te barazimi me Korabin, ndërsa reklamon penalltinë që iu mohua.

“U ndalëm në barazim përballë Korabit. Duhet të fitonim dhe rastet nuk munguan, për të mos folur për një 11-metërsh të mohuar padrejtësisht. Tashmë këtë ndeshje e kemi harruar dhe preokupimi ynë gjatë ditëve në vazhdim është të jemi dinjitozë në javën e 9-të.

Nëse kemi mbështetjen e tifozëve, do ta kemi më të thjeshtë që të marrim rezultat pozitiv. Dhe, me sa kam dijeni, ata do t’i kemi në krah, ashtu si kanë vepruar gjithnjë”, përfundoi Dede.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"