“Duhet të fitojmë patjetër ndaj Apolonisë”, Longo: Jemi në formë, Flamurtari e kupton filozofinë time

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 11:45

“Duhet të fitojmë patjetër ndaj Apolonisë”, Longo: Jemi në formë, Flamurtari e kupton filozofinë time

Diego Longo kërkon tri pikët sot me Apoloninë ne Vlorë. Trajneri italian i Flamurtarit nuk pranon asnjë rezultat tjetër në këtë takim që luhet në shtëpi, pavarësisht mungesës së tifozëve për shkak të dënimit të fushës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Longo thekson se situata në ekip është shumë e mirë dhe pozitive. Italiani mendon se skuadra po i përgjigjet edhe filozofisë së tij dhe se kjo kohë i ka shërbyer për të injektuar idetë që ka, por edhe për të njohur edhe më mirë lojtarët.

longo

“Përpara ndeshjes me Apoloninë, situata në skuadër është shumë pozitive dhe shumë e mirë. Nuk e prisja që ekipi të ishte në këtë gjendje kaq të mirë, në një kohë kaq të shkurtër që unë kam marrë drejtimin e skuadrës. Ekipi po ndryshon në mënyrë të shpejtë dhe kjo gjë më ka kënaqur shumë. Të gjithë lojtarët po punojnë me përkushtim për të arritur më të mirën në këtë ndeshje.

Shpresoj dhe besoj që të jemi në një situatë edhe më të mirë. Natyrisht që unë tani jam më i qetë. Kjo, pasi skuadra po ndryshon dhe po rritet si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktikoteknik. Po e shikoj këtë gjë çdo ditë nga ekipi që po stërvitet me përkushtim. Natyrisht që kjo periudhë më ka shërbyer për të njohur më mirë ekipin, si dhe për të njohur skuadra më mirë filozofinë time. Rezultatet do të vijnë në vazhdim.

Në këto kushte, unë dua që t’i gëzohem këtij momenti të mirë që po kalojmë. Natyrisht që kam pritshmëritë e mia për ndeshjen me Apoloninë dhe pres maksimumin. Ne gjithmonë luajmë për të fituar dhe këtë gjë do ta kërkojmë edhe në ndeshjen e radhës, që natyrisht është e fundit e kampionatit të rregullt. Fitorja është rezultati më i drejtë për Flamurtarin”, shprehet Longo.

NDESHJET “PLAY OFF”- Numri një i pankinës vlonjate, Diego Longo, është i bindur se Flamurtari do t’i kalojë me sukses ndeshjet e “play off”-it dhe për të kërkuar më pas ngjitjen në finalen e madhe. Për italianin, kuqezinjtë do të jenë në Superiore.

“Kam shumë besim te skuadra për të arritur suksese në ndeshjet e “play off”-it. Do t’i kalojmë me sukses të plotë. I kemi të gjitha mundësitë dhe potencialet. Për tri javë do të luhet ndeshja që të çon në Superiore.

Kam bindjen se Flamurtari do të jetë në elitën e futbollit shqiptar, pasi e meriton. Ne po punojmë fort për këtë gjë dhe në veçanti reagimi i fundit i skuadrës më kënaq dhe më ngroh. Jemi të gjithë të angazhuar për ta çuar këtë skuadër aty ku e ka vendin”, përfundon Logo.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"