“Duhet rregulluar shënjestra”, Longo e ka me sulmin: Të gjejmë identitetin tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 10:21

“Duhet rregulluar shënjestra”, Longo e ka me sulmin: Të gjejmë identitetin tonë

Diego Longo e shikon çdo ndeshje si finale. Edhe pse Flamurtari e ka siguruar tashmë një vend në “play off”, 180 minutat e fundit duan t’i fitojnë. Jo vetëm për blinduar vendin e tretë, por edhe ruajtur formën për ndeshjet ekstra.

Longo

Fokusi është pikërisht atje, pasi tashmë kjo është rruga e vetme që u ka mbetur për të kapur një vend në elitë. Këtë e thotë edhe vetë trajneri, gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”.

KORRIGJIMI – Trajneri nuk merret me renditjen e Besëlidhjes dhe faktin që ata kanë rënë, ndaj pret maksimumin prej lojtarëve. “Jemi të përgatitur për të gjitha ndeshjet. Skuadra gjatë kësaj jave ka bërë mirë dhe u është përgjigjur të gjitha detyrave. Kemi pasur kohën e nevojshme në dispozicion. Pushimi na ka ndihmuar për të rregulluar edhe ato mangësi që janë vënë re. Duhet të punojmë mbi parimet tona, përtej kundërshtarëve. Pavarësisht se luajmë këtë javë me Besëlidhjen që është në vendin e fundit, kjo gjë për ne nuk ka fare rëndësi. E kemi vlerësuar maksimalisht, pasi duam kthesë në lojë dhe rezultat. Do të udhëtojmë në këtë transfertë për të treguar veten tonë dhe me respektin më të madh për kundërshtarin.

Ne kemi objektiva të ndryshëm nga Besëlidhja, por e respektojmë për atë që përfaqëson ai klub dhe nuk e shikojmë fare nga renditja. Për ne është takim që duhet fituar. Duhet të harrojmë tashmë humbjen me Tomorin. Nëse do të kishim shënuar të parët në atë ndeshje, pasi kishim shumë mundësi, ndeshja do të fliste për ne. Rastet nuk na kanë munguar, por duhet të jemi më konkretë në finalizimin e tyre. Shkojmë pa frikë dhe me dëshirën për të fituar. Duhet të jemi të qetë dhe pa presion, për të arritur aty ku duam”, thotë Longo.

OBJEKTIVI – Diego Longo pohon se skuadra duhet që të gjejë identitetin e saj për të shkuar në “play off”. Objektivin e ka të qartë dhe beson fort se pas 5 ndeshjeve që do të luajnë, do ta kapin Superioren. “Qëllimi është të gjejmë identitetin tonë për të shkuar në ‘play off’ dhe për të fituar. Objektivi ynë dihet se cili është dhe ne duhet ta realizojmë atë për të shkuar në Superiore dhe për ta çuar Flamurtarin aty ku e ka vendin. Çdo ndeshje tashmë është një finale për ne deri në fund. Pres një përgjigje të madhe nga djemtë, për të bërë atë që duan dhe presin të gjithë. Do të punojmë fort deri në fund, për të arritur synimin që kemi dhe për të plotësuar misionin e klubit”, përfundoi numri një i pankinës së kuqezinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"