“Duhet ndërhyrje urgjente”, ish-futbollisti i vetëofrohet Luftëtarit: Nder ta drejtoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2020 | 23:12

“Duhet ndërhyrje urgjente”, ish-futbollisti i vetëofrohet Luftëtarit: Nder ta drejtoj

Edmond Kodra, ish-lojtar i Luftëtarit në vitet 2000, si dhe pjesë e stafit të trajnerit Gert Haxhiu në sezonin 2015-2016, për “Panorama Sport” komenton momentin e vështirë që po kalon futbolli gjirokastrit. “Në sezonin 2015-2016, kur isha pjesë e stafit të Luftëtarit, arritëm një sukses, duke e rikthyer ekipin në Superiore. E arritëm falë investimeve të presidentit Grigor Tavo dhe një brezi lojtarësh shumë të mirë, që vazhdoi për dy sezone të bënte shumë mirë, duke shkuar deri në Kupat e Europës.
unnamed
Të vjen keq që pas tri sezonesh në Superiore skuadra është shpërbërë. Duhen marrë masa sa më shpejt, sepse futbolli është i qytetit. Nuk mund të mbahet peng për asnjë lloj arsye. Nuk duhet bërë më aventurë, duhet plan afatgjatë me baza solide. Vetëm bashkia për momentin mund ta mbajë skuadrën, sepse të gjithë klubet, edhe të Superiores, ndihmohen nga bashkitë. Duhet bërë diçka urgjentisht për ta shpëtuar Luftëtarin”, tha fillimisht Kodra për gazetën.

TRAJNER I MUNDSHËM? – Ish-futbollisti kavajas doli kampion si trajner me Apoloninë U-19 sezonin e fundit. Ai do të kthehet në Gjirokastër dhe nuk e fsheh dëshirën për të drejtuar Luftëtarin. “Për mua do të ishte nder të drejtoja Luftëtarin. Me kënaqësi do ta pranoja një ofertë, edhe pse ndodhet në këto kushte shumë të vështira. Duhen të merren masa sa më shpejt, sepse Gjirokastra e meriton një skuadër dinjitoze që të rikthehet aty ku i takon. Me Apoloninë U-19 u shpallëm kampionë dhe për herë të parë kjo skuadër do marrë pjesë në Champions Ligë. Në nivel klubi ishte një sezon i suksesshëm, Apolonia është shembulli më i mirë për klubet shqiptare se si punohet me moshat”, theksoi Kodra, duke dhënë sinjale bashkëpunimi me klubin gjirokastrit.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"