“Duhet limit për numrin e lojtareve të huaja”, Shkëlqim Muça apel FSHB-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 23:23

“Duhet limit për numrin e lojtareve të huaja”, Shkëlqim Muça apel FSHB-së

I pranishëm në ditën e parë të stërvitjeve të Partizanit, ishte edhe drejtori i klubit Shkëlqim Muça. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Muça flet fillimisht për ndryshimet e bëra në skuadër:

muca

“Trajnerja Ledina Koçi pas një pune shumë të mirë, fantastike do të thosha, që ka bërë te Partizani, kërkoi të largohej për arsye shëndetësore dhe familjare. Pas kësaj ne menjëherë kërkuam që ta mbajmë ekipin në këto nivele dhe, pse jo, për ta dërguar edhe në nivele më të larta.

Në koordinim me presidentin e shoqatës, z.Agim Fagu, kemi biseduar dhe menduar që skuadrën ta drejtojë Erta Bujari dhe Jurgen Belegu”. Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i Tiranës, tashmë në rolin e drejtuesit te Partizani, bën të ditur se synimi i klubit është që të konfirmohen gjithashtu edhe pjesa më e madhe e lojtareve që kanë qenë pjesë e skuadrës në sezonin e fundit: “Kemi nisur kontaktet me lojtaret dhe dëshirojmë që të mbajmë edhe lojtaret që kanë qenë.

U kemi paraqitur edhe atyre vizionin dhe ofertat tona dhe shpresojmë që të gjitha të jenë pjesë e Partizanit. E vetmja e larguar mbetet Aida Palko, e cila ka qenë një lojtare shumë e rëndësishme për skuadrën tonë, por vjen një kohë kur çdo kusht duhet të marrë vendimet e veta dhe ne kërkojmë që të ndërtojmë një ekip me vajza të reja me perspektivë për të ardhmen. Ajo punë e mirë që është bërë te Partizani këto dy vite, të vazhdojë dhe të krijohet tradita për ta mbajtur këtë skuadër”, shprehet Muça. Më pas shefi i klubit të kuq ndalet te një çështje delikate siç është numri pa limit i basketbollisteve të huaja që luajnë në kampionatin shqiptar.

Vitet e fundit kemi pasur dyndje të lojtareve nga jashtë, teksa ka pasur raste që në finalet për titullin të luanin 8, 9 apo 10 basketbolliste të huaja. Për këtë Muça i bën thirrje FSHB-së që të ndërhyjë sa më parë për ta kufizuar numrin e tyre, në mënyrë që t’u jepet më shumë prioritet lojtareve vendëse: “Për t’i dhënë një hov basketbollit të femrave mendoj se duhet të ndryshohet patjetër rregullorja. Nuk mund të luash pa limit me lojtare të huaja, pasi kjo nuk është në të mirën e basketbollit. Është i vetmi sport që e ka pa limit numrin e lojtareve të huaja, ndryshe nga futbolli apo volejbolli.

Mendoj që limiti duhet të jetë, le të themi, maksimumi 3 lojtare dhe të tjerat duhet të jenë shqiptare, për t’u dhënë mbështetje vajzave që luajnë këtu, sepse po na ikin lojtaret. Nuk ka sens që një skuadër të marrë 4 apo 5 lojtare nga jashtë, prandaj Federata Shqiptare e Basketbollit këtë gjë duhet ta kufizojë patjetër.

Ne duhet fillimisht të shikojmë perspektivën dhe t’u japim mundësinë të rinjve apo të rejave tona që të luajnë. Kemi parë shumë skuadra si te femrat ashtu edhe te meshkujt që luajnë vetëm më lojtarë të huaj. Ne kemi rivalizuar për dy vite, me basketbolliste të gjitha vendëse ndaj një skuadre si Flamurtari me 4-5 të huaja, por kjo nuk është normale”, përfundoi Muça.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"