Duhen përsëri rregulla të reja në futboll!…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 21:59

Duhen përsëri rregulla të reja në futboll!…

Nga SKIFTER KËLLIÇI
Në ditën e tretë të Lojërave Olimpike që përfunduan në gusht të vitit 2016 në Rio de Zhaneiro, po ndiqja ndeshjen e futbollit midis Brazilit të madh dhe Irakut, “të vogël” në futboll, që deri tani njihet në botë kryesisht për luftën 10-vjeçare me Iranin në vitet ‘80 të shekullit të kaluar.

SKIFTER

 

Mirëpo, çuditërisht, skuadra irakiane përballoi uraganin brazilian, që hovëzohej nga një stadium i përmbytur nga “torsida”, siç quhet tifozëria e këtij vendi, dhe e mbylli ndeshjen me barazimin e merituar 0-0. Gjatë ndeshjes pati dhe ndërprerje, siç ndodh jo rrallë, që shkaktojnë zgjatjen e lojës për disa minuta pas kohës së rregullt. Por këtë radhë gjyqtari dha një shtesë prej plot… 7 minutash! Jo vetëm kaq, por e përfundoi atë pasi shtoi edhe 27 sekonda të tjera. Dihet se “Rregullores ndërkombëtare të futbollit”, të hartuar që më 1862 nga anglezi Fring, i cili formuloi 10 rregullat e para, i janë shtuar vazhdimisht rregulla të reja.

Një ndër to është dhe futja, pas shumë e shumë polemikash, në funksion e teknologjisë, pra vendosja e kamerave për të saktësuar nëse topi ka kaluar ose jo plotësisht vijën e portës, që Anton Mazreku, babai i futbollit shqiptar, e quante “vija fatale” dhe tashmë risia tjetër VAR (Video Assistant Referee – video ndihmëse e gjyqtarit), kamera e vendosur pranë fushës, nga e cila gjyqtari sheh pamje të një aksioni dhe merr vendimin përfundimtar, nëse do të japë goditje dënimi, 11- metrëshi, të dëbojë ndonjë futbollist nga loja… Sidoqoftë, ka ardhur koha që futbollit t’i shtohen rregulla të reja: Koha e lojës të saktësohet nga kronometri

Sipas “Rregullores së futbollit”, loja shtohet në këto raste: 1-Kur gjatë ndeshjes bëhen ndërrime; 2-Kur një futbollist dëmtohet; 3-Kur ai transportohet nga fusha e lojës; 4-Kur një futbollist kërkon qëllimisht të vonojë lojën; 5-Për arsye të tjera. Zgjatja e kohës së lojës varet nga gjyqtari. Por, siç e pamë në rastin e mësipërm, ka pasur edhe raste, si në rastin e ndeshjes që përmenda më sipër, Brazil-Irak, kur, edhe pse gjyqtari ka dhënë, p.sh., 4 minuta shtesë (edhe kjo është e hamendësuar), loja ka zgjatur edhe më shumë, sepse edhe brenda periudhës së shtesës ka ndodhur që loja të ndërpritet përsëri për shkaqe të ndryshme.

Po përse një shtesë tjetër, kur gjyqtarit i duhet më së pari të ndjekë veprimet e lojtarëve në fushë dhe njëkohësisht të shohë kronometrin të mbërthyer në kyçin e dorës? Por ka ndodhur dhe mund të ndodhë që pikërisht gjatë kësaj “shtese mbi shtesë” të shënohet edhe gol, që logjikisht është i parregullt, përderisa loja po zgjatet më shumë se koha e shtuar dhe e treguar në tabelë nga gjyqtari i katërt.

Për mendimin tim, për të mënjanuar raste të tilla, duhet që koha e lojës në futboll të jetë EFEKTIVE, pra ashtu si në basketboll, futbollin amerikan, hendboll, hokej mbi akull, hokej mbi bar, vaterpolo… kur pas vërshëllimës së gjyqtarit ose kur topi del jashtë, koha e lojës ndërpritet, për të rinisur, Duhen përsëri rregulla të reja në futboll!…  kur rinis edhe ajo. Me fjalë të tjera, gjyqtari ndjek lojën, kurse kohën e mat kronometristi. Madje, koha tregohet edhe në orën e madhe të stadiumit, si në sportet e tjera, me kohë kronometrike që përmenda më sipër. Në këtë mënyrë, do të mënjanohen të gjitha orvatjet e lojtarëve ose portierëve që vonojnë lojën dhe për të cilat dënohen sipas rregullores me karton të verdhë.

PËR POZICIONIN JASHTË LOJE Deri tani gjyqtari anësor fikson se një futbollist ndodhet jashtë loje, edhe sikur thembra e këmbës, dora ose koka… kanë kaluar një vijë imagjinare që e veçon atë nga futbollistët kundërshtarë. Mirëpo, lindin kështu shumë kundërti për të ashtuquajturat pozicione jashtë loje “milimetrike”, “të dyshimta”, pra, të diskutueshme. Faktikisht, ne themi se një njeri del nga dhoma, kur ai të ketë kaluar tërësisht derën, pra vijën imagjinare që ndan dhomën nga dhoma tjetër ose nga korridori.

E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në rastin e pozicionit jashtë loje. Një lojtar ndodhet jashtë loje, kur lë tërësisht pas lojtarin kundërshtar. Në analogji me rregullin që gjyqtari përcakton se një gol quhet i vlefshëm kur topi ka kaluar tërësisht vijën e portës. Po ashtu edhe në sporte të tjera, si p.sh., në volejboll, tenis… topi konsiderohet jashtë, kur i tërë perimetri i tij ka kaluar vijat kufizuese të fushës.

EUFORI E TEPRUAR PAS SHËNIMIT TË GOLIT…
Sipas rregullores, gjyqtari i ndeshjes duhet që të shtojë sekonda gjatë kohës kur futbollisti që ka shënuar gol, jo vetëm që nxjerr fanellën dhe e tund në ajër (për këtë veprim dënohet me karton të verdhë), por vrapon deri në tribunat e shikuesve, ku nuk mjaftohet me kaq, por kacavirret në hekurat që ndajnë tribunën nga pista ose hapësira që rrethon fushën e lojës dhe përshëndet tifozët; ose, në mungesë të pistës, shkon te flamuri i këndit, shtrihet atje për shtatë pale qejfe, i mbuluar nga shokë të skuadrës, ndërsa gjyqtari dhe lojtarët kundërshtarë presin si gjynahqarë që ata të kujtohen dhe të renditen në gjysmëfushën lojës, e cila do të nisë kështu nga qendra.

Madje, ka pasur raste që një ose disa lojtarë të skuadrës që shënon gol, nga euforia edhe kanë shkulur flamurin e këndit dhe e kanë përdorur kinse si kitarë, nën vështrimin e qetë të gjyqtarit. Në këto raste ai duhet t’i japë atij ose atyre kartonin e verdhë. Pas shënimit të një goli, futbollisti me shokët e tij sigurisht ka të drejtë të shprehë gëzim, por brenda vijave kufizuese të fushës, madje të shkojë drejt rrethit të saj. Ndaj, në rregulloren e futbollit duhet shtuar një nen, në bazë të të cilit gjyqtari të ndëshkojë futbollistët që kryejnë veprime të sipërpërmendura. Për mbërthimet e futbollistëve kundërshtarë me duar në trup, në krahë, ose pas fanellës…

Edhe në këtë rast në “Rregulloren e futbollit” duhet të shtohet një nen, sipas të cilit futbollistët që kryejnë veprime të tilla, të dënohen drejtpërdrejt me karton të kuq dhe, nëse ky veprim kryhet brenda zonës së rreptësisë, të jepet edhe një 11- metërsh, pavarësisht se aksioni zhvillohet në një hapësirë tjetër brenda saj, pra pa top. Te lojtarët duhet të ngulitet fort mirë mendimi se ata përdorin në fushë këmbët dhe jo duart, se prandaj loja quhet futboll, pra topkëmbë.

JO 11-METËRSHA PAS SHTESËS 2X15 MINUTA
Mendoj se do të ishte mirë që në “Rregulloren e futbollit” neni i gjuajtjes së 11–metërshave, pasi ndeshja me gjithë shtesën 2×15 minuta përfundon në barazim, të zëvendësohet me aksione vetjake nga një pikë me largësi 20-25 metra drejt portës kundërshtare. Nga pika e 11-metërshit, siç e pamë edhe në Europianin e fundit të zhvilluar në Francë, veçanërisht në ndeshjen Itali-Gjermani, nuk arritën të shënonin edhe futbollistë të mëdhenj të të dyja skuadrave. Mendoj se në vend të 11-metërshave futbollistët e të dyja skuadrave të nisen nga një largësi prej 20 metrash me top dhe të përpiqen të shënojnë gol, ose duke gjuajtur menjëherë, ose duke mashtruar portierin. Kështu ata do të tregojnë nivelin e tyre teknik në përdorimin e topit.

RIVËNIE E TOPIT ME KËMBË DHE JO ME DUAR
Siç dihet, kur topi del jashtë vijave fundore, portierët ose lojtarët bëjnë rivënien e tij në lojë me goditje nga vija e zonës së portës. Por kur topi del jashtë vijave anësore, çuditërisht rivënia bëhet… me duar. Është një “relikte” e habitshme e rregullores së regbisë nga ka lindur futbolli, lojë ku rivënia e topit vezak bëhet me duar. Madje, çudia më e madhe është se kur topi përfundon qoftë edhe një milimetër larg flamurit të këndit, tutje vijës fundore, skuadra sulmuese fiton goditje këndi.

Kurse kur ai përfundon një… milimetër jashtë vijës anësore, kjo skuadër fiton vetëm rivënie me duar(!?). Dhe më e çuditshmja është se kjo rivënie nuk i jep as më të voglën përparësi skuadrës që e fiton atë, sepse duke u bërë me duar topi sado të hidhet me forcë, nuk përfundon më shumë se 20-25 metra nga vendi nga ku ka dalë jashtë.

Ky është paradoks! Përderisa loja luhet me këmbë, edhe në këtë rast rivënia duhet të bëhet me këmbë. Ky rregull do ta gjallëronte shumë lojën dhe futbollistët e të dyja skuadrave do të tregoheshin më të kujdesshëm që të mënjanonin sa më shumë çdo nxjerrje të topit nga vijat anësore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"