“Duhen bërë mirë llogaritë”, Canka “shkund” ekipin: Asnjë i pazëvendësueshëm, koha për reagim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 22:09

“Duhen bërë mirë llogaritë”, Canka “shkund” ekipin: Asnjë i pazëvendësueshëm, koha për reagim

Lushnja ka katër javë që nuk fiton dhe “ethet” e rënies nuk po i largohen. Kur kanë mbetur edhe 18 pikë lojë, vend për qetësi nuk mund të ketë. Edhe pse momentalisht është e shpëtuar, janë vetëm 1 pikë larg “play out”-it. Një tjetër gabim mund t’i zbresë në zonën e verdhë, ndaj Mikel Canka mundohet që të “shkundë” ekipin.

Canka

Kapiteni u frikësohet llogarive që do të bëhen në fund, ndaj pret që reagimi të vijë një orë e më parë. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, sulmuesi thekson se nuk ka më vend për justifikime. Ai problemin e sheh te presioni dhe ndoshta te mungesa e rivalitetit brenda grupit, ndaj kujton se askush nuk duhet ta ndiejë veten si të pazëvendësueshëm.

“Me këto gabime që po bëjmë javë pas jave, duhet t’i bëjmë mirë llogaritë në fund. Do të mbeten të gjithë të pakënaqur, prandaj duhen vlerësuar të gjitha ndeshjet që kanë mbetur. Sidomos në këtë fazë, që të gjitha janë finale dhe një hap fals kushton vërtet shumë. Duhet reagim i menjëhershëm, sepse do të jetë shumë vonë…

Nuk ka asgjë që nuk shkon në ekip. Të gjithë duhet të tregojnë veten e tyre. Ekipi stërvitet mirë, por në ndeshje nuk është në nivelin e duhur. Kjo tregon që lojtarët po ndihen në presionin e rezultateve. Ka elementë me shumë përvojë dhe me cilësi shumë të mira, që kanë dhënë shumë dhe japin akoma më shumë. Thjesht, nuk duhet të vihen nën presionin e pikëve. Na duhen vërtet shumë dhe sidomos tani që jemi në këto pozita.

Kemi kohën e duhur përpara për të bërë një analizë më të mirë dhe të thellë për këto ndeshje dhe të vëmë ca pika mbi ‘i’. Të mos justifikohemi kot për pikët e lëna. Mbase duhet të shtohet edhe pak rivaliteti në organikë. Asnjëri nuk duhet ta mendojë që është i pazëvendësueshëm, duke filluar nga unë i pari.

OK, mungesat na kanë prishur punë. E kemi pasur këtë fat të keq gjatë fazës së dytë, nuk kemi qenë kurrë të plotë. Ndeshje pas ndeshjeje mungojnë nga dy lojtarë, që kanë vërtet peshë në ekip. Shpresojmë që ta kalojmë sa më shpejt këtë krizë. Le të shfrytëzojmë edhe pushimin që rezervon kampionati për t’u përmirësuar dhe korrigjuar defektet e hasura”, përfundoi kapiteni i Lushnjës, që dha asistin e golit të avantazhi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"