“Duhen afrime nga mbrojtja në sulm”, ish-trajneri i Apolonisë: Superiorja kërkon eksperiencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2020 | 23:21

“Duhen afrime nga mbrojtja në sulm”, ish-trajneri i Apolonisë: Superiorja kërkon eksperiencë

Elidon Demiraj e ka besuar që në krye të herës që Apolonia do të ngjitej. Ish-trajneri e quan më shumë se të merituar verdiktin dhe suksesin ia “faturon” punës së Artan Mërgjyshit, por pa harruar lojtarët dhe mbështetjen e presidencës. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka skanuar me detaje sezonin e fundit dhe u ndal tek elita.

Elidon Demiraj

E quan domosdoshmëri merkaton dhe bën thirrje që ato të jenë sa më cilësore. “Më vjen mirë që kam parashikuar dhe kam besuar që në krye të herës te ngjitja. Përveç projektit, kjo bindje vinte edhe prej dashurisë që kam për Apoloninë. Ekipi është aty ku e ka vendin, por shpresoj që të paktën të kenë vazhdimësi dhe gjërat të shkojnë në rrugën e duhur dhe pa oshilacione, siç ka ndodhur kaq sezone të shkuara.

Meritën kryesore të ngjitjes si kampionë e ka stafi teknik me trajnerin Mërgjyshi në krye dhe lojtarët. Nuk duhet harruar presidenca, që si kurrë më parë i ka qëndruar shumë afër ekipit dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme”, u shpreh fillimisht ish-trajneri.

MERKATO – Për të mos qenë “transit” në elitë, Apolonisë i duhet të përforcohet. Këtë e mendon edhe Demiraj: “Që Apolonia të jetë konkurruese, i duhet patjetër që të përforcohet. Se si do procedohet, këtë e di më mirë stafi dhe presidenca, por mendimi im është që duhet të zgjedhin disa lojtarë me eksperiencë nga elita. Duhen disa lojtarë me përvojë, në mënyrë që këta të rinj të talentuar që janë sot, të kenë suportin e duhur në fushë.

Mendoj se duhet ndërhyrje në të tria repartet, mbrojtja e gjer në sulm. Të rinjtë e talentuar Apolonia i ka, por ata nuk duhet të futen nën trysninë e garës dhe të rezultatit. Ja pse duhen lojtarët e përvojës, për t’u bërë udhërrëfyes të pjesës tjetër të skuadrës. Nuk përjashtoj variantin e të huajve, por ata duhet të jenë shumë cilësorë dhe të bëjnë diferencën me grupin aktual.

Koha e limituar dhe kapaciteti financiar i Apolonisë nuk besoj se është konkurrues për të sjellë lojtarë cilësorë nga jashtë, ndaj duhet hedhur syri me kujdes te lojtarët shqiptarë. Si shembull mund të shërbejë Bylisi i vjetshëm, që afroi: Hidin, Mirakën, Bicin, Peposhin, Goxhajn etj., pra lojtarë efikasë e praktikë dhe që e njohin mirë nivelin superior”.

E ARDHMJA – Në fund ai foli edhe për të ardhmen, ndërsa përflitet për një kalim në krye të stolit të Albpetrolit. “Jo, e kam kaluar një eksperiencë të fundit atje, ku u mundova për ta ngjitur skuadrën një kategori më lart, por nuk ia dolëm. Tani i jam përkushtuar një ekipi me fëmijë të vegjël. Sa i përket Albpetrolit, ju them se gjer tani nuk kam pasur asnjë kontakt konkret nga klubi për sezonin e ri dhe momentalisht nuk e shoh si opsion drejtimin e kësaj skuadre”, përfundoi Demiraj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"