Duhen 90 mijë euro, Skënderbeu bllokon sulmuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 20:28

Duhen 90 mijë euro, Skënderbeu bllokon sulmuesin

Skënderbeu bllokon ish-lojtarin, Alfred Mensah. Sulmuesi ganez duket se nuk do të debutojë me ekipin e tij në Izrael për shkak të detyrimeve të papaguara që pretendojnë korçarët. Bëhet fjalë për 90 mijë euro, që ende nuk janë xhiruar nga ekipi i ri i sulmuesit në drejtim të klubit bardhekuq.

mensah

Burime të sigurta në klub bënë me dije për “Panorama Sport” se Hapoel Nof në Izrael ende nuk ka derdhur në arkat e skuadrës bardhekuqe shumën e kërkuar nga korçarët si taksë e formimit dhe rritjes së lojtarit. Të njëjtat burime konfirmojnë se bëhet fjalë për 90 mijë euro, që ende nuk janë derdhur në arkat e klubit.

Për këtë arsye Skënderbeu ka pretendimet e veta, por edhe Hapoel nga ana tjetër nuk e zyrtarizon dot lojtarin dhe aq më keq nuk mund ta përdorë në ndeshjen që do të luajë në javën e parë të kampionatit. Izraelitët mund të rrezikojnë gjobë nga ana e FIFA-s në rast se korçarët bëjnë rekurs për diçka të tillë. Në kushte të tilla, bardhekuqtë kanë çuar edhe një shkresë të fundit zyrtare për pretendimet e tyre, ndërsa do të jenë për një javë në pritje të mbylljes përfundimtare të këtij transferimi.

Në rast të kundërt, Alfred Mensah nuk do të mund të kalojë tek ekipi në Izrael. Skënderbeu pret përmbushjen e detyrimeve nga izraelitët ose lojtari mund të bëjë prapakthehu duke u rikthyer në Korçë për të nënshkruar kontratën e re me Skënderbeun. Në të dyja rastet do të ishte një përfitim për Skënderbeun. Kjo, pasi edhe nëse nuk do të vinin 90 mijë euro, trajneri Memelli do të kishte ne dispozicion sulmuesin që do të kompletonte repartin e avancuar në fillim të kampionatit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"