“Duhen 11 luanë në fushë”, ish-sulmuesi i Erzenit karikon shijakasit: Sot ndaj Egnatias pres fitore, po zhduken lojtarët e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 10:42

“Duhen 11 luanë në fushë”, ish-sulmuesi i Erzenit karikon shijakasit: Sot ndaj Egnatias pres fitore, po zhduken lojtarët e…

E mbani mend Justin Bespallën? Ish-sulmuesi i Teutës dhe Erzenit në periudhën 1996- 2009 ka qenë një nga idhujt e tifozërisë shijakase. Pas lënies së futbollit, 44-vjeçari punon si trajner moshash, ndërsa aktualisht është pjesë e akademisë së Erzenit. I biri i legjendës së futbollit shqiptar, Niko Bespalla, ka lënë jo pak gjurmë në Superiore, ndërsa sot në një intervistë enkas për “Panorama Sport” flet për skuadrën shijakase në prag të ndeshjes që do të luajë kundër Egnatias. Bespalla nuk ngurron të japë këshilla, jo vetëm për sulmuesit.

JUSTIN BESPALLA NEVIL DEDE 1

Justin Bespalla dhe Nevil Dede para një ndeshjeje Erzeni-Tirana në sezonin 2002-2003

Justin, së pari a mund të na bëni një krahasim mes Erzenit që ju keni luajtur në Superiore dhe këtij aktuali që drejtohet nga Kapllani?

Erzeni i atëhershëm me të sotmin nuk është se ndryshon shumë. I vetmi ndryshim janë kushtet dhe infrastruktura. Pra, mundësitë që kanë lojtarët e rinj, që ne nuk i kishim atëherë. Në atë kohë ne luanim të gjithë pa përjashtim me shpirt dhe zemër. Nuk donim të dinim se kush është ekipi që kemi përpara dhe a e kishim marrë apo jo rrogën.

Ju ka befasuar ky start i ekipit pas rikthimit në elitë?

Erzeni e nisi shkëlqyer kampionatin dhe këtë nuk e prisja. Jo vetëm unë, por as vetë lojtarët nuk e prisnin. E kam ndjekur në të gjitha takimet, por të arrish të bindësh në Superiore duhet dyfish punë. Ky start i tejkaloi pritshmëritë, por duhet mbajtur gjatë. Unë kam besim që do të rikthehemi, pasi të jesh pjesë e Erzenit është privilegj.

E thoni këtë pasi keni shumë nostalgji për tifozët shijakas?

Kam qenë lojtari më i dashur për tifozët e Erzenit, për vetë faktin se në atë kohë isha i vetmi futbollist nga Shijaku që përfaqësoja qytetin në elitë. Pastaj, ka të bëjë edhe me mbiemrin tim, Bespalla, nga i ndjeri babai im, që ka qenë futbollisti më i dashur për Shijakun. Që të flasësh për dinastinë Bespalla duhen vite për ta përshkruar sakrificën edhe vuajtjet që kemi kaluar, duke nisur nga babai, që regjimi i asaj kohe ja hoqi të gjitha liritë dhe privilegjet.

justin bespalla

Tashmë keni djalin në ekipin e të rinjve…

Të njëjtën gjë kërkoj dhe pres prej tim biri, Kristit. Pra, të mos e uli poshtë mbiemrin që e kemi ndërtuar gjatë gjithë këtyre dekadave.

Ndeshja e radhës është sot ndaj Egnatias, çfarë prisni?

Shpresoj që të fitojë Erzeni, por në fushë duhen të futen lojtarë që ta nxjerrin zemrën. Vetëm kështu mund të shkosh te fitorja dhe duke analizuar edhe gabimet e ndeshjes që kaloi me Bylisin. Kam shumë besim që Erzeni do ta kalojë me sukses këtë sfidë, duke pasur 11 luanë në fushë. Për sulmuesit kam një këshillë, që duhet stërvitje dhe shumë punë para portës. Më duket sikur sulmuesit kënaqen me 7 apo 8 gola, që është e pamjaftueshme. Sot sulmuesit e shpejtë po zhduken një e nga një dhe nuk kam parë akoma një sulmues tipik. Xhixha i Tiranës dhe Kadriu i Erzenit më pëlqejnë, pasi për këta sulmues ka nevojë futbolli.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"