Dueli special ndaj Skënderbeut: Duhet të fitojmë patjetër, ja kur do të jetë gati stadiumi i ri i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 23:36

Dueli special ndaj Skënderbeut: Duhet të fitojmë patjetër, ja kur do të jetë gati stadiumi i ri i Partizanit

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, doli paraditen e sotme, në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të duelit special, ndaj Skënderbeut, i vlefshëm për javën e dytë të kampionatit.

Daja Ranxhi

Tekniku kryeqytetas është optimist dhe beson se skuadra e tij i ka të gjitha kualitetet për të dalë me pikë të plota nga transferta ndaj korçarëve. Daja vlerësoi maksimalisht kundërshtarët, teksa u shpreh se skuadra e tij do të jetë e motivuar maksimalisht për këtë përballje. Në fund, 54-vjeçari foli edhe për stadiumin e ri të Partizanit, i cili është drejt përfundimit, teksa bëri me dije që pritet të jetë gati në muajin nëntor.

Si e keni parë gjendjen e skuadrës pas humbjes me Teutën, si i keni motivuar lojtarët?

Ndoshta mund të ishte ndërtuar më ndryshe, pas javës së parë. Në këto javë rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka. Kemi vazhduar punën punën me intesistete të larta dhe me dëshirën që ato gjëra që u paraqitën në ndeshjen e parë të paktën të minimizohen. Nuk mund që brenda 1 jave të ndryshosh gjithçka. Mendoj që kemi një ndeshje delikate nesër në transfertë në Korçë, sepse, pavarësisht se dhe Skënderbeu ka të njëjtin rezultat në ndeshjen e parë, por gjatë pjesës së parë ka bërë goxha mirë kundër Tiranës. Shkojmë nesër në Korçë duke respektuar maksimalisht kundërshtarin. Detyra jonë e vetme është marrja e 3 pikëshit, pavarësisht se e dimë se duhet të punojmë fortë për të arritur këtë gjë.

A do të ketë ndryshime në formacion?

Nuk është e mirë që të përsërisim të njëjtën gjë. Partizani është një ekip që brenda tij ka lojtarë cilësorë. Dy nga të cilët janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të themi kush do ta nisi titullar ndeshjen nesër, pasi kemi dhe një seancë stërvitore direkt mbas konferencës për shtyp, gjë të cilën do të vendosim të gjithë si staf se kush do të startojë nesër. Ka shumë lojtarë të rëndësishëm, por mbi të gjitha është Partizani. Do mundohemi që nesër të startojnë ata që janë në gjendjen më të mirë. Ndoshta ndonjëri mundet të sakrifikohet për shkak të pozicionit, jo për shkak të vlerave.

A mund të konsiderohet ndeshja e nesërme një sfidë që duhet fituar me patjetër?

Është ndeshje deliakte, duhet patjetër të shkojmë drejt 3 pikëshit sepse besoj që i kemi kualitetet e duhura për të bërë këtë gjë. Ajo që më pëlqeu në ndeshjen e parë ishte motivimi që kishin lojtarë dhe të dëshira për të fituar, përtej gjërave të tjera që duhen përmirësuar. Mendoj që kualiteti nuk na mungon, por që në javën e dytë mund të behet diçka më shumë. Skënderbeu është një ekip simpatik, që vjet në pjesën e dytë të kampionatit kanë bërë mirë. Pjesa më e madhe janë lojtarë të rinj. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës të kujdesshëm. Duhet të jemi të motivuar maksimalisht nëse duam të arrijmë marrjen e 3 pikëve.

Ilir Daja konferenca

A është punuar këtë javë në finalizimet e aksioneve?

Kishim probleme me finalizimin, por problemi që na shqetësoi më shumë, për shkak edhe meritës së kundërshtarit, sepse u mbrojt mjaft mirë mbas shënimit të golit, ishte që në 1/3 e sulmit nuk kishim shpejtësinë e duhur të veprimeve sulmuese. Duhet të kishim shumë më tepër raste para portës që këto situata të finalizoheshin në një përqindje më të mirë. Po t’i referohemi ndeshjes. Edhe ne edhe kundërshtari nuk kishim shumë situata para portave respektive.

Përballja ndaj Skënderbeut, sfida ku Partizani mund të ndezë “motorët” për ndeshjet e vërteta…

Kampionati shqiptar nuk ka diferenca të mëdhaja. Ashtu siç ne kemi ndeshje të vështira, edhe kundërshtarët kanë ndeshje të vështira. Gjithsesi ne nuk do të shpërndahemi, do të fokusohemi të ndeshja e nesërme. Raporti i vështirësisë është  në të dy kahet. Nesër duhet që të gjitha energjitë t’i fokusojmë te ndeshja e Skënderbeut. Sepse Skënderbeu është ekip që di të luajë mirë futboll. Do ta ketë të vështirë çdo ekip që do të luajë me Skënderbeun. Prandaj duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme, për të parë pastaj sa të vështira do të jenë ndeshjet më mbrapa.

Mund të ndikojnë afrimet në minutat e fundit të merkatos, në rezultatet e Partizanit?

Unë do të thoja që ndikon, por kjo nuk do të jetë pjesë e justifikimit tonë. Duhet të jemi pragmatist, duke ditur këtë lloj problematike. Kemi ndërtuar një strategji që të na ndikojmë sa më pak të jetë e mundur. Nesër duhet të jemi të gjithë grup për të minimizuar këto probleme.

Kur do të luani në stadiumin e ri?

Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjet me ekipin në fushën e kompleksit të ri. Për këtë kemi marrë dhe fjalën e presidentit. Ndërsa për ta bërë komplet stadiumit të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj se në muajin nëntor. Unë jam trajneri i ekipit, nuk jam presidenti, por sipas fjalës së tij besoj që muaji nëntor duhet të na gjejë në stadiumin e ri, në qoftë se nuk na hapet ndonjë vështirësi tjetër, sepse këtu në Shqipëri, në vend që të suportohen investime të tilla gjigante, në çdo hap që investohet del nga një problematikë, por shpresoj që fundi i nëntorit të na gjejë në stadiumin tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"