Dueli për Europën, Bytyçi është i bindur: Kukësi e mund Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 16:53

Dueli për Europën, Bytyçi është i bindur: Kukësi e mund Egnatian

Kukësi pret Egnatian të shtunën në orën 15:00, në një ndeshje që do të kërkojë me patjetër ta fitojë kundër rrogozhinasve të vendit të tretë, një pozicion që në fund të sezonit të siguron një vend në Europë. Pas dy viteve mospjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s, verilindorët duan ta kapin me çdo kusht Europën përmes kampionatit, pasi nga Kupa janë eliminuar dhe nuk kanë më shanse.

kukesi

Distanca me vetëm tri pikë nga Egnatia shton shpresat e Kukësit për të kapur vendin e tretë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi Altin Bytyçi flet për momentin e mirë që po kalon skuadra. Sipas tij, Kukësi ka luajtur mirë edhe më parë, por thjesht fati nuk ka qenë me ta. Njëkohësisht ai ndihet i kënaqur që me Hallaçin në pankinë, tani ka më shumë minuta në dispozicion dhe më tepër përgjegjësi.

“Patjetër që i prisnim këto rezultate, sepse kemi punuar shumë për fitoret e fundit. Gjithsesi, edhe ato ndeshje që kemi humbur, kanë qenë çështje fati, pasi kemi bërë lojë shumë të mirë. Çdo lojtar kur merr minuta është i kënaqur, por ne si grup e kemi gjetur kompaktësinë dhe kjo është më e rëndësishme në një skuadër. Na duhet vetëm të vazhdojmë kështu dhe kam besim se nuk do të ndalemi, sepse skuadrës nuk i mungojnë mundësitë për të bërë edhe më mirë”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari i Kukësit.

NDESHJA – Autori i një goli këtë sezon me verilindorët, pikërisht në fitoren 2-0 ndaj Tiranës, ka besim se kjo ecuri pozitive do të vijojë edhe ndaj Egnatias këtë fundjavë. Bytyçi e sheh si një përballje direkte, pa menduar shumë për objektivat, sepse ato do të shihen vetëm në fund. “Është një ndeshje pothuajse direkte dhe mjaft e vështirë. Gjithsesi, ne do të synojmë me patjetër trepikëshin dhe do të japim maksimumin. Si fillim është mjaft e rëndësishme fitorja për të ruajtur ritmin, pa menduar për Europën. Më pas do të shohim edhe ndeshjet në vazhdim, por kam shumë besim te të gjithë futbollistët dhe te stafi që do t’ia dalim”, ka thënë më tej Bytyçi.

Në fund, ai u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, e cila pritet gjithashtu të jetë e shumtë në numër. “Për këtë ndeshje jemi mjaft të motivuar, sepse edhe tifozët janë rikthyer në stadium që të na përkrahin. Çdo ndeshje do ta luajmë si të jetë një finale, sepse duam të vazhdojmë me këtë ecuri pozitive dhe të marrim vetëm fitore”, përfundoi qendërmbrojtësi, i cili është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Rraman Hallaçi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"